Ish-kryeministri Sali Berisha duke folur në Kuvend për votën e qeverisë së Edi Ramës kundër SHBA-së, është shprehur se ‘kjo qeveri riktheu votën e Enver Hoxhës në OKB’.
‘21 dhjetori do të hyjë në historinë e Shqipërisë si dita kur bijtë e etërve mizorë, rikthyen votën e Enver Hoxhës kundër shtetit, kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Kundër vendit që në vitet ’20 shpëtoi Shqipërinë nga zhdukja e Shqipërisë nga harta e Europës. Për vendin që ndërmori operacionin më të madh të pas luftës së dytë botërore, për të rrëzuar etërit e këtyre. Votuat kundër vendit që ndërmori operacion më të madh për të çliruar Kosovën.
Votuat kundër vendit që ka shfaqur ndjenjat më miqësore ndaj shqiptarëve. Këta mashtrues që duan të mbrojnë aktin e tyre të shëmtuar, gënjejnë çdo ditë shqiptarët. Sapo tha ministri juaj që të gjithë vendet kandidate të BE, votuan për rezolutën. Maqedonia është një vend shumë kohë para nesh kandidat, po çfarë bëri delegacioni i tyre? Braktisi sallën dhe nuk votoi. Kemi të bëjmë me njerëz ordiner si ky këtu, kreu i juaj, që pa u skuqur tha se, nuk na e kërkoi njeri.
Por anëtarja e qeverisë amerikane kërkoi dy herë, bëri dhe një vizitë në përfaqësinë e Kosovës, deklaroi se SHBA po bëjnë përpjekje të mëdha për njohje të reja, por Edi Rama kërkoi të votojë rezolutën, turko-jevenite. E pse? Për të dënuar vendimin e një vendi sovran’, tha ish-kryeministri Sali Berisha në Kuvend.


