Një aksident me pasojë vdekjen e një 55-vjeçari është regjistruar në fshatin Perondi, në bashkinë Kuçovë.
Viktima, i identifikuar si Andrea Buçka, ishte duke lëvizur me biçikletë në rrugën e fshatit, kur është përplasur nga një automjet, që dyshohet se po qarkullonte me shpejtësi.
Si pasojë e përplasjes, 55-vjeçari ka marrë plagë të shumta dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes, ai ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në ambientet e spitalit.
Trupi i pajetë i viktimës, banues në fshatin Perondi, është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, raporton gazetarja Eneida Petova.
Ndërkohë, grupi hetimor ka kryer veprimet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se shkak është bërë shpejtësia e automjetit. Drejtuesi i tij është shoqëruar në polici.
Njoftimi i policisë
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 20:45 në fshatin Perondi, shtetasi Sh. D., 20 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin A. B., 55 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, 55-vjeçari ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
© BalkanWeb


