Një zbulim i pazakontë ka habitur biologët në Shtetet e Bashkuara, pasi gjatë një monitorimi rutinë në ujërat e liqenit Ontario është kapur një peshk me ngjyrë të verdhë intensive, një pamje jashtëzakonisht e rrallë për këtë specie.
Peshku u zbulua në portin e Oswegos, në shtetin e Nju Jorkut, nga një ekip biologësh të Shërbimit Amerikan të Peshkimit dhe Kafshëve të Egra (USFWS), gjatë një kontrolli për monitorimin e specieve ujore invazive. Bëhet fjalë për një burbot (Lota lota), një peshk që zakonisht ka ngjyrë kafe, gri ose jeshile të errët.
Ajo që i habiti studiuesit ishte ngjyra e tij e pazakontë, e verdhë në portokalli të ndezur. Sipas ekspertëve, kjo pamje shkaktohet nga një gjendje e rrallë gjenetike e quajtur ksantokromizëm, e cila ndikon në pigmentimin normal të trupit dhe bën që ngjyrat e verdha dhe portokalli të dominojnë.
Shërbimi amerikan e cilësoi zbulimin si një kapje “një në një milion”, duke theksuar se kjo veçori është shumë më e rrallë te peshqit e egër sesa albinizmi apo melanizmi, që shkaktojnë përkatësisht mungesë ose shtim të pigmentimit të errët.
Por ngjyra nuk ishte e vetmja arsye që e bëri këtë zbulim të veçantë. Burbotët zakonisht jetojnë në ujëra më të thella dhe më të ftohta, ndërsa prania e tij në portin e Oswegos përbën rastin e parë të dokumentuar të kësaj specieje gjatë një monitorimi shkencor në atë zonë.
Pas kapjes, biologët e Shërbimit Gjeologjik Amerikan vunë re se peshku ishte shumë i dobët dhe dukej se kishte probleme shëndetësore. Për këtë arsye, ai u dërgua në Kolegjin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Cornell për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme.
overlay-clevercloseLogo
Studiuesit shpresojnë që analizat e këtij ekzemplari të rrallë të ndihmojnë për të kuptuar më mirë gjendjen e popullatës së burbotëve në liqenin Ontario, ku numri i tyre është aktualisht shumë i ulët.
Zbulimi, përtej pamjes së pazakontë, mund t’u japë shkencëtarëve të dhëna të vlefshme për shëndetin dhe mbijetesën e kësaj specieje


