Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Padova të Italisë, pasi dyshohet se tentoi të mashtronte një grua duke u prezantuar si karabinier. Plani i tij dështoi, pasi gruaja që kishte telefonuar ishte gazetare, e cila e kuptoi menjëherë skemën dhe lajmëroi policinë.
Sipas mediave italiane gjithçka nisi me një telefonatë, ku një person që u prezantua si marshall i karabinierëve i tha gruas se atë mëngjes ishte kryer një grabitje dhe autorët ishin larguar duke përdorur makinën e saj. Me këtë justifikim, ai i shpjegoi se duhej të kontrolloheshin bizhuteritë dhe sendet e çmuara që ndodheshin në banesë.
Mashtruesi i tha se pas pak në shtëpi do të mbërrinte një person i ngarkuar për të marrë bizhuteritë dhe orët, të cilat do të dërgoheshin në komisariat për t’u krahasuar me sendet e vjedhura gjatë grabitjes.Gazetarja e kuptoi menjëherë se bëhej fjalë për një mashtrim. Megjithatë, në vend që ta ndërpriste telefonatën, ajo vendosi të hynte në lojën e mashtruesve. U shtir si një e moshuar që po u besonte fjalëve të tyre dhe, ndërsa vazhdonte bisedën, njoftoi policinë.
Në adresën e saj mbërritën efektivët e policisë dhe të Skuadrës Mobile. Pak më vonë, në banesë shkoi edhe personi që do të merrte bizhuteritë, por në vend të tyre e prisnin policët, të cilët e arrestuan në flagrancë.
Sipas autoriteteve italiane, i arrestuari është një 24-vjeçar shqiptar, pa vendbanim të përhershëm dhe me qëndrim të parregullt në Itali.
Rasti po hetohet nga autoritetet italiane për të zbuluar nëse i riu vepronte i vetëm apo ishte pjesë e një grupi që përdorte skemën e “karabinierit të rremë” për të mashtruar, kryesisht persona të moshuar.


