Infarkti i miokardit nuk konsiderohet më vetëm një problem i moshave të mëdha. Kardiologët po raportojnë një rritje të rasteve edhe tek personat nën 45 vjeç, duke ngritur shqetësim për shëndetin kardiovaskular të të rinjve.
Sipas të dhënave të cituara nga kardiologu i QSUT-së, Naltin Shuka, rreth 10 deri në 15% e infarkteve ndodhin tek personat nën 45 vjeç.
“Janë shtuar rastet e infarktit tek moshat nën 45 vjeç, pasi tek ata 45 e lart e presim”, deklaron Shuka.
Përveç faktorëve tradicionalë të rrezikut, si hipertensioni dhe kolesteroli i lartë, te pacientët e rinj ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Kardiologu përmend spazmat koronare, tromboembolinë dhe përdorimin e substancave narkotike si disa prej shkaqeve që mund të lidhen me shfaqjen e problemeve akute të zemrës.
Në fokus është edhe aktiviteti fizik. Sipas rekomandimeve të cituara nga mjeku, ngjitja dhe zbritja e shkallëve mund të përbëjë një formë të dobishme ushtrimi për sistemin kardiovaskular.
Mjekët këshillojnë gjithashtu një ushqyerje të shëndetshme dhe, mbi të gjitha, të mos neglizhohen shenjat alarmuese, si dhimbja apo presioni në gjoks dhe vështirësia në frymëmarrje. Një reagim i shpejtë dhe mbërritja në kohë në spital mund të jetë vendimtare.


