Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se Rusia ka zgjeruar sulmet e saj duke vënë në shënjestër qendrat e të dhënave dhe ofruesit e internetit në Ukrainë, me synimin për të shkaktuar sa më shumë ndërprerje për qytetarët e zakonshëm.
“E gjithë kjo ndikon në aftësinë e njerëzve për të qëndruar të lidhur, për të studiuar dhe për të punuar”, tha ai.
Të premten, një dron rus goditi një qendër biznesi në kryeqytetin Kiev, duke vrarë katër persona dhe dëmtuar një qendër të dhënash.
Rusia konfirmoi se kishte vënë në shënjestër një qendër të të dhënave, duke pretenduar se ajo përdorej nga inteligjenca ushtarake ukrainase.
Rreth 100 mijë familje në Kiev dhe në rajon mbetën pa internet të mërkurën, për shkak të sulmeve. Disa kompani kanë nisur tashmë transferimin e të dhënave nga serverët e dëmtuar jashtë vendit.
Në qytetin veriperëndimor të Ukrainës, Lutsk, tabelat elektronike të informacionit në stacionet e transportit publik nuk funksiononin të premten, njoftuan zyrtarët.
Këshilli i qytetit tha se kjo kishte ndodhur “për shkak të dëmeve të shkaktuara nga një sulm rus ndaj qendrave të të dhënave në Kiev”.
Në një postim në rrjetet sociale të premten, Zelensky shkroi:
“Rusët po e zgjerojnë vazhdimisht operacionin e tyre të përshkallëzimit: bizneset amerikane dhe të tjera, qendrat e të dhënave, ofruesit e internetit – për Rusinë, e gjithë jeta e zakonshme është thjesht një objektiv.”


