Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar lidhur me shantazhet e bëra sot nga ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, në drejtim të gazetares Klodiana Lala.
Përmes një video-postimi në rrjetet sociale, Fevziu shprehet se bëhet fjalë për një deklaratë të rëndë, që sipas tij, përbën shkelje në dy raste, si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ajo etike.
Sipas gazetarit, kërcënimi u nxit nga një publikim i bërë dje nga Lala, sipas të cilës, Hyseni kishte përgjuar zyrtarë të lartë.
Fevziu thekson se në këtë rast, pavarësisht vërtetësisë, një akuzë nuk mund të mbulohet më një kundërakuzë.
Reagimi i plotë:
Sot, ish-shefja e Shërbimit Sekret Shqiptar, Vlora Hyseni, që ishte thirrur për t’u marrë në pyetje, kërcënoi në mënyrë të çuditshme gazetaren Klodiana Lala, ndërsa ishte duke hyrë brenda ambienteve të SPAK. Pyetjes mbi aktivitetin e saj kriminal, ajo iu përgjigj me një kundërpyetje: Klodi, si kalon ti në takimet me agjentët serbë në dhomat e hotel Rognerit. Padyshim që deklarata e saj nuk qëndron dhe për këtë janë shprehur shumë vetë, por pyetja ime e parë është: Përse e bëri këtë Vlora Hyseni?
Në radhë të parë, ajo ka bërë një skandal, duke shkelur dy herë ligjin. Në rast se kjo gjë do të ishte e vërtetë dhe shefja e SHISH-it ishte në dijeni, ajo ka dekonspiruar një operacion të fshehtë, në të cilin SHISH po ndjek një gazetare. Është një shkelje ligjore, përveç shkeljes së etikës. Por, padyshim që kjo nuk është e vërtetë.
Në rastin e dytë, pra në rast se e ka sajuar këtë gjë për t’u hakmarrë ndaj Klodiana Lalës, apo për të hërhequr vëmendjen nga lajmet e fokusuara tek ajo, është një gabim po kaq i rëndë dhe përbën sërish vepër penale.
Por përse Vlora Hyseni kërcënoi Klodiana Lalën?
Dy ditë më parë, Lala akuzoi Hysenin, mbi bazë dokumentesh që sipas saj i kishte konsultuar me materialet e SPAK-ut, se Hyseni ka përgjuar deputetë të rëndësishëm, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
A e ka përgjuar SHISH Taulant Ballën për llogari të Ergys Agasit? Kjo është e vështirë të vërtetohet në këtë moment, por padyshim është një akuzë e rëndë e bërë nga gazetarja në drejtim të ish-shefes dhe akuza nuk mund të mbulohen kurrë me kundërakuza./


