Një aksident i rëndë rrugor me tre viktima shqiptare është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Glyfada të Athinës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 në bulevardin Poseidonos, pranë kryqëzimit me rrugën Kalypsous, në drejtim të Athinës. Në automjet udhëtonin pesë persona, kur për shkaqe që po hetohen, drejtuesi humbi kontrollin dhe makina doli nga rruga, duke u përplasur me forcë me një mur betoni pranë një hoteli.
Goditja ishte e fuqishme dhe automjeti pësoi dëmtime të mëdha. Për nxjerrjen e personave të bllokuar në makinë u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Tetë efektivë, të mbështetur nga tre automjete dhe pajisje të posaçme, morën pjesë në operacionin e shpëtimit.
Tre nga pesë personat që ndodheshin në automjet nuk mundën t’u mbijetonin plagëve të marra. Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet greke, dy prej viktimave janë të rinj të moshës 23 dhe 26 vjeç, ndërsa identiteti i viktimës së tretë nuk ishte bërë ende publik në raportimet e para.
Dy personat e tjerë që ndodheshin në makinë, të dy 18 vjeç, u dërguan me urgjencë në spital. Njëri prej tyre raportohet se ndodhet në gjendje kritike dhe është intubuar, ndërsa 18-vjeçari tjetër ka pësuar dëmtime të shumta dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit. Mediat vendase raportojnë se një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që automjeti të ketë qenë i përfshirë në një garë shpejtësie me një makinë tjetër.
Një tjetër element që po verifikohet është nëse të rinjtë po regjistronin një video për TikTok në momentet përpara përplasjes. Këto dyshime mbeten pjesë e hetimit dhe ende nuk janë konfirmuar përfundimisht nga autoritetet.


