Deputeti socialist i qarkut të Durrësit, Loer Kume, ka bërë të ditur lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij, Lorinës.
Përmes një mesazhi të ndjerë të publikuar në rrjetet sociale, Kume ka kujtuar rrugëtimin e gjatë që kishin përshkuar së bashku, duke e cilësuar Lorinën si njeriun me të cilin kishte ndarë jetën dhe si nënën e dy fëmijëve të tyre.
Historia e tyre kishte nisur që në moshën 18-vjeçare dhe kishte vijuar për më shumë se dy dekada. Në postimin e tij, deputeti tregon se gjatë gjithë këtyre viteve kishin ndërtuar së bashku familjen dhe kishin kaluar krah njëri-tjetrit etapa të rëndësishme të jetës.
Kume bën të ditur gjithashtu se bashkëshortja e tij prej kohësh po përballej me një sëmundje. Pavarësisht betejës së gjatë dhe forcës së treguar, Lorina u nda nga jeta këtë të premte.
Postimi i Plotë:
Lorina, Lori, Lorushi, dashuria ime që 18 vjeç, më shumë se gjysma ime, shpirti im binjak, shtëpia ime, gruaja, e dashura, shoqja, mësuesja ime, nxënësja ime, busulla ime, mishi im, zëri e fjala e syri im, gjithçkaja e madhe, nëna e fëmijëve tanë, dy mrekullive, sot na la vetëm. Ne të tre, familja, njerëzit që e njohën, e prekën, e dëgjuan, u mbështollën nga energjia dhe aura e Lorit, Lorushit, e donim këtu të na donte pa limite e të na ndriçonte siç e ka bërë gjithë jetën e saj.
Dhe në luftë e tregoi veten njeriun më të fortë që kemi njohur e dëgjuar. Sot kemi trashëgiminë e Lorit pas. Varrimi bëhet ditën e shtunë, 19/09/2026. Pritjet bëhen ditën e diel, të martë dhe të mërkurë, ora 09:00–13:00, 16:00–21:00. Agjencia Leba. Lagjja nr. 6, Rruga Andon Naçi – Durrës.


