Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka nisur një hetim lidhur me çështjen e pagave të magjistratëve.
Në kuadër të hetimeve, mësohet se janë sekuestruar dokumente në Ministrinë e Financave.
Gjyqtarët depozituan kallëzim penal në SPAK lidhur me mosekzekutimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026.
Në kallëzim kërkohet që organi i prokurorisë të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.
Mes personave të kallëzuar është edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Në kallëzim theksohet se situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
Sipas kallëzimit, qëllimi është që prokuroria të përcaktojë përgjegjësinë individuale për veprimet ose mosveprimet konkrete që kanë çuar në mosekzekutimin e pagave.


