Një zjarr ka përfshirë gjatë orëve të natës zonën pranë hyrjes së “Syrit të Kaltër”, në bashkinë Finiq, duke shkrumbuar katër kioska private tregtimi.
Zjarri ka nisur rreth orës 00:05 të 6 shtatorit. Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë dërguar tre mjete zjarrfikëse, si dhe dy mjete të Policisë së Shtetit.
Ekipet e emergjencës kanë punuar për rreth dy orë për shuarjen e flakëve, ndërsa zjarri është vënë nën kontroll rreth orës 02:00.
Nga të dhënat e para të hetimit, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt në rrjetin elektrik. Megjithatë, grupi hetimor vijon verifikimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Dëmet e konfirmuara deri tani janë katër kioskat e tregtimit që ndodheshin në hyrje të zonës së “Syrit të Kaltër”.


