Janë zbardhur rrethana të tjera nga incidenti i regjistruar më 7 gusht 2026 në sektorin “C” të paraburgimit nr. 313 në Tiranë, ku Nuredin Dumani dyshohet se sulmoi një punonjës të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.
Sipas deklarimeve të efektivit Rexhep Sinaj, përplasja ndodhi në orët e paradites, kur ai po ngjitej drejt katit të dytë për të marrë shërbimin. Në duar mbante një qese me produkte ushqimore, ndërsa në korridor është përballur me Dumanin.
Sinaj ka treguar se i paraburgosuri i hodhi një kovë me ujë, duke e lagur plotësisht dhe duke bërë që ushqimet t’i binin në dysheme. Më pas, sipas dëshmisë së tij, Dumani e goditi me grusht në fytyrë, duke i shkaktuar një plagë në hundë, raporton gazetari Elton Qyno.
Pas incidentit, punonjësi i policisë iu nënshtrua ekzaminimit pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Ai deklaroi se Dumani e kishte fyer disa herë gjatë shërbimit, përfshirë me shprehje të rënda ndaj familjes, por pretendon se nuk i ishte përgjigjur dhe nuk e kishte provokuar.
Pas sulmit, Dumani dyshohet se është kthyer në dhomën nr. 1, në katin e dytë të sektorit “C”. Episodi është regjistruar nga sistemi i kamerave të sigurisë dhe është parë gjithashtu nga punonjësit e policisë Edmond Gjiriti dhe Kujtim Balliu, sipas gazetarit Elton Qyno.
Të dy efektivët janë marrë në pyetje nga strukturat e Policisë së Burgjeve dhe kanë dhënë versionin e tyre mbi ngjarjen. Ndërkohë, sipas informacioneve të publikuara, vetë Dumani nuk është pyetur lidhur me incidentin.
Pamjet e sekuestruara nga kamerat dyshohet se tregojnë Dumanin, të veshur me pantallona të shkurtra, teksa hedh kovën me ujë në drejtim të Sinajt. Në regjistrim shfaqen korridori dhe shkallët e lagura, si dhe produktet ushqimore të shpërndara në dysheme. Më pas afrohen dy efektivët dhe disa të paraburgosur, ndërsa pas qetësimit të situatës personat largohen dhe dyert e sektorit mbyllen.
Ky nuk raportohet të jetë incidenti i parë ku Dumani përfshihet në një konflikt brenda ambienteve të paraburgimit. Më herët ai është akuzuar se ka ushtruar dhunë edhe ndaj Amarildo Nikollit, një tjetër bashkëpunëtor të drejtësisë.


