Një kamarier vetëm 18 vjeç, u dhunua disa ditë më parë nga dy djemtë e pronarit të hotelit ku ishte i punësuar, kunati dhe një shok i tyre, për shkak se kërkoi pagesën. Mediat kanë siguruar videon ku shihet dhuna e ushtruar ndaj të riut.
Ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të hotelit në Malin e Robit. Në pamjet që zgjasin rreth 30 sekonda, shihen 4 burra që i turren 18-vjeçarit për ta goditur. Ai tenton të mbrohet, por vihet përfund nga goditjet me grushte.
Deri më tani i arrestuar është vetëm njëri prej djemve të pronarit dhe shoku i tij, ndërsa në kërkim është shpallur djali tjetër. Ndërkohë policia ka vënë nën hetim në gjendje të lirë dhëndrin e pronarit.
I riu 18-vjeçar përfundoi në spital. Ishte xhaxhai i tij, i armatosur me automatik, 3 karikatorë dhe 84 fishekë, që u nis për tu hakmarrë për nipin drejt hotelit ku ky i fundit ishte i punësuar. Ai u ndalua dhe më pas u arrestua nga Policia e Kavajës që parandaloi një tjetër krim që mund të përfundonte me pasoja të rënda.
Më herët, policia njoftoi se pas mbërritjes në hotel, vendi i ngjarjes ishte i pastruar, e madje të akuzuarit kishin hequr nga përdorimi kamerat e sigurisë me qëllim mosdokumentimin me pamje të rastit. Siç shihet dhe nga video, është një xhirim amator nga distanca që më pas është shpërndarë.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë. Përveç këtyre pamjeve, nuk dihet saktësisht sesi konflikti ka nisur, çfarë ka ndodhur përpara momentit të dhunës dhe më pas. Hetimet ende po vijojnë nga organet kompetente me qëllim dokumentimin e plotë të rastit.


