• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 28 August, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

28 August, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
KRIZA NË KOSOVË/ Ish-ambasadori Walker paralajmëron: Nëse partitë nuk bashkohen për Presidentin, do të ketë thellim të përçarjes
Home
Rajon

KRIZA NË KOSOVË/ Ish-ambasadori Walker paralajmëron: Nëse partitë nuk bashkohen për Presidentin, do të ketë thellim të përçarjes

28 August, 2026 s.autor Rajon

Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se zgjedhjet e reja eventuale, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që ka bërë Kosova ndër vite.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, thotë Walker.

“Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje”
Radio Evropa e Lirë: Zoti Walker, përmes një letre, ju propozuat këtë javë emrin e Faton Bislimit për president të Kosovës. Cilat janë arsyet që ju shtynë drejt këtij propozimi?

William Walker: Epo, me pak fjalë, jam lodhur nga konfuzioni dhe ngecja e procesit zgjedhor që po vazhdon tash e tri apo katër palë zgjedhje. Tani po thuhet se, nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, do të duhet të shkojnë në zgjedhje të tjera.
Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.

Mendoj se Kosova, thjesht, duhet të rikthehet në rrugën e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë që nga viti 2000, por veçanërisht që nga pavarësia në vitin 2008.

Mendoj se është koha të ecet përsëri përpara.

Radio Evropa e Lirë: Pse propozuat pikërisht zotin Bislimi?

William Walker: Sepse, e dini, i kam parë problemet që kanë pasur presidentët, veçanërisht ajo që sapo u largua [Vjosa Osmani], jo ushtruesja e detyrës.

E kuptoj se Presidenca është vërtet mjaft ndryshe nga ajo që kërkohet nga një kryeministër, apo nga disa poste të tjera. Presidenti përfaqëson Kosovën në tërësi. Nuk mund të bazohet në një parti politike apo në një lider të caktuar politik.

Për Presidencën nevojitet një grup i tërë aftësish dhe mendoj se Vjosa e kishte shumicën e tyre, por, fatkeqësisht, kishte disa probleme.

Toni Bislimin e njoh prej kohësh dhe mendoj se ai i ka pothuajse të gjitha, në mos të gjitha, aftësitë që unë konsideroj se i nevojiten një kandidati presidencial.

Nuk mund të mendoj për dikë tjetër që njoh në Kosovë, dhe njoh shumë njerëz në Kosovë.

Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë. Të njohurit e gjuhës angleze është me rëndësi, por gjithashtu edhe njohja e Evropës dhe mënyrës se si funksionon ajo.

Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë.

Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar propozimin me zotin Bislimi?

William Walker: Jo, por disa njerëz ma sugjeruan emrin e tij dhe atëherë kuptova më mirë se çfarë përfaqësonte dhe çfarë aftësish kishte, pasi e njoh prej disa vitesh.

Radio Evropa e Lirë: Para se ta propozonit zotin Bislimi, a keni komunikuar me liderët e partive politike në Kosovë? A i keni informuar ata për hapin që do të ndërmerrnit?

William Walker: Jo, jo. Pikërisht ketë synonte letra. Ua dërgova letrën, besoj, verbërisht. Kështu do ta përshkruaja.

Thjesht, mendova se katër partitë kryesore, në vend që të grinden për përqindjet në zgjedhje, për ulëset në parlament dhe për postet që mund të mbanin nëse do të mund të bashkoheshin… thjesht, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Pra, letra ishte përpjekja ime e parë për t’u thënë partive se mendoj që Toni do të ishte një kandidat i mirë nëse ato do të mund të bashkoheshin.

Mendoj se ai ka mbështetje… ose, e dini, njerëzit në të katër partitë e njohin. Ai është gjithashtu shumë i njohur këtu në diasporë – gjë që mendoj se është e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë përgjigje nga liderët, të cilëve u keni shkruar lidhur me propozimin tuaj? Dhe a keni ndonjë konfirmim se emri i tij do të merret në konsideratë?

William Walker: Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët. Sigurisht që kam ndjekur lajmet në Kosovë dhe kam parë se është raportuar gjerësisht në media se e kam bërë këtë propozim.

Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje.

Radio Evropa e Lirë: Përveç jush, zotin Bislimi e ka propozuar edhe ish-kongresisti Joe Dioguardi. A jeni në dijeni për propozimin e tij?

William Walker: Po, e kam parë edhe atë në media, po.

Radio Evropa e Lirë: A jeni koordinuar me të lidhur me propozimin. A keni diskutuar me të?

William Walker: Jo, jo. Nuk kam folur me Joe Dioguardin prej vitesh. E njoh, sigurisht, sepse është nga Nju Jorku dhe e kam takuar disa herë në Nju Jork, si dhe në Kosovë, por jo, nuk kam folur me të prej shumë kohësh.

“Kosova është një perlë demokratike”

Radio Evropa e Lirë: Kosova është thellësisht e ndarë politikisht. A mendoni se propozimi juaj mund të sigurojë vërtet mbështetje përtej vijave partiake, apo synon kryesisht të nxisë një debat më të gjerë për alternativat?

William Walker: Supozoj se do ta bëjë këtë. Nëse dikush e merr seriozisht propozimin tim, ai do të nxisë një debat, një argument apo një diskutim lidhur me atë nëse ai është kandidati i duhur.

Vazhdimisht them se Kosova është një vend ku deri në vitin 2000 – dhe më e rëndësishmja deri në vitin 2008 – shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të fitonin përvojë në qeverisje.

Ata nuk kanë mundur të punësohen në institucionet shtetërore, nuk kanë mundur të sigurojnë shumë vende pune që do t’u jepnin përvojë për sa i përket zhvillimit të vendit.

Dhe, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur që nga viti 2008 tregon se Kosova – kur shumicës shqiptare i është dhënë mundësia të tregonte se çfarë mund të bënte – ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Për mua, Kosova nuk është një demokraci perfekte, por është po aq e përsosur sa çdo vend tjetër në Evropë. Të gjitha gjërat që unë gjithmonë i kam konsideruar si gurët themeltarë të demokracisë – liria e fjalës, liria e fesë, liria e tubimit – janë të pranishme në Kosovën e sotme, vetëm 18 vjet pas pavarësisë.

Shumicës së vendeve iu duhen dekada për të arritur aty ku janë. Për mua, Kosova tani, deri në këtë konfuzionin lidhur me zgjedhjen e presidentit, është një perlë, një perlë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin historikisht të gjithë e kanë parë si një qendër problemesh.

Dhe, ja ku jemi në vitin 2026. Kosova është një demokraci funksionale. E dini, të drejtat e minoriteteve, për të cilat të gjithë kanë bërtitur… nuk di ndonjë vend në Evropë ku minoritetet trajtohen aq drejt dhe me aq bujari sa në Kosovë.

Prandaj, sipas mendimit tim, bota duhet të dëgjojë më shumë nga kosovarët, nga ajo që bën Qeveria në Kosovë.

Mendoj që Kosova duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar historinë e saj dhe atë që përfaqëson.

Një gjë që ajo nuk përfaqëson, është kërcënimi për ndonjërin nga fqinjët e saj.

Përkundrazi, ajo përfaqëson një shembull të një kombi paqësor dhe demokratik që thjesht po përpiqet të ndërtojë veten, si shtet i ri në zemër të Evropës.

“Një gjeneratë e re duhet të dalë përpara”

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i shqetësuar për krizën aktuale politike në Kosovë?

William Walker: Padyshim që kjo është një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja kryesore për propozimin tim. Pjesa më e madhe e problemit, ose shumë aspekte të problemit të procesit zgjedhor bazohen në Kushtetutën, e cila u hartua po nga kosovarët, por edhe nga BE-ja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga këshilltarë të tjerë që erdhën pas luftës për të thënë: ja çfarë duhet të bëni, duhet t’i mbroni minoritetet, duhet ta bëni këtë, duhet ta bëni atë, e kështu me radhë.

Tani keni këtë proces… ku udhëheqja që doli nga lufta, ka qenë udhëheqja e partive që nga viti 2000. Një gjeneratë e re e lidershipit duhet të dalë përpara. Ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe të talentuar që janë rritur në Kosovë pas luftës dhe është koha që disa prej tyre të kenë më shumë rol.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se është në rrezik nëse liderët politikë nuk arrijnë të gjejnë një kompromis?

William Walker: Mungesa aktuale e ecjes përpara do të vazhdojë. Ka çështje të rëndësishme. Natyrisht, marrëdhënia me Serbinë, nevoja për dialog që prodhon diçka… Siç e thashë, Kosova nuk është kërcënim për askënd, ndërsa Serbia vazhdon të jetë kërcënim në Ballkan.

Unë vetëm shpresoj që katër partitë të jenë në gjendje të bien dakord për diçka që është e mirë për Kosovën si shtet dhe që komunitetet të bashkohen shpejt.

Mendoj se duhet të marrin një vendim se deri kur duhet të zgjedhin një president të ri ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Vendi nuk ka nevojë për edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Sa dëm mund t’u shkaktojë paqëndrueshmëria e zgjatur politike këtyre marrëdhënieve dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës?

William Walker: Po, kam dëgjuar shumë për tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe, padyshim, ka tensione, ka probleme. Përsëri, mendoj se Toni është një person që mund t’i kapërcejë këto barriera. Ai i njeh Shtetet e Bashkuara, e njeh Uashingtonin. Nuk mendoj se do t’i bënte disa nga gabimet që mendoj se janë bërë dhe nuk dua të hyj në to.

E di se ku qëndron kritika dhe mendoj se një pjesë e problemit nuk qëndron te liderët politikë në Kosovë, por te liderët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se Kosova i kushton shumë rëndësi marrëdhënies së saj, kosovarët i kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara.

Por, ajo që harrojmë është se njerëzit që kanë qenë në pushtet këtu në Uashington gjatë 20, 25, 26 vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë dekadës së fundit apo më shumë, nuk kanë njohuri për atë se si ishte lufta në Kosovë, kush i bënte çfarë kujt…

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë i lidhur ngushtë me Kosovën për dekada. Duke e parë vendin sot, çfarë ju shqetëson më shumë dhe çfarë mesazhi do t’iu dërgonit liderëve politikë të Kosovës?

William Walker: Më lejoni të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes së pari. Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit.

Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar.

Kosova, në kohën e tanishme, mendoj se është në prag të të qenët një perlë absolute në qendër në Ballkanit, në qendër të Evropës.

Mendoj se kundërshtimet e disa vendeve të BE-së, Spanjës dhe të tjerëve, se Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kërkesat e demokracisë, janë krejtësisht të gabuara. Ato nuk po e shikojnë mënyrën se si vetë i trajtojnë minoritetet, demokracinë e tyre.

Kosova është një perlë, me të vërtetë është, dhe e gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe aftësive të njerëzve të Kosovës.

Unë dua që ajo të rikthehet në rrugën e duhur. Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë.

Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri./rel

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article PROBLEME TEKNIKE NË AEROPORTIN E RINASIT/ Pezullohen fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare
Previous article INTERVISTA/ Linda Rama: Nga qendrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

s.autor

Postime të ngjashme

"KASAPI I BALLKANIT" ME FUNERAL / Serbia do t’i japë nderime Ratko Mlladiçit Rajon

"KASAPI I BALLKANIT" ME FUNERAL / Serbia do t’i japë nderime Ratko Mlladiçit

ARMATOSTET GREQIA/ Blen dy fregata italiane ‘FREMM’ dhe pasuron flotën! Ja çfarë përmban marrëveshja ushtarake Rajon

ARMATOSTET GREQIA/ Blen dy fregata italiane ‘FREMM’ dhe pasuron flotën! Ja çfarë përmban marrëveshja ushtarake

TRAGJEDI NË MALIN OLIMP/ Alpinisti 40-vjeçar bie në humnerë, gjendet trupi i pajetë Rajon

TRAGJEDI NË MALIN OLIMP/ Alpinisti 40-vjeçar bie në humnerë, gjendet trupi i pajetë

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT