Momente paniku dhe tmerri për të pushuesit që ndodheshin në hotelin e përfshirë nga zjarri.
Një prej të dëmtuarve rrëfen momentet e para të ngjarjes dhe mënyrën se si tentoi të shpëtonte nga flakët, duke u detyruar të hidhej nga ballkoni.
“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë tym shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë, tym, nuk e di. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë ai.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00. Flakët dyshohet se kanë nisur në katin e parë të godinës, ku ndodhej një bar-restorant, dhe janë përhapur me shpejtësi në ambientet e gjithë godinës. Më pas, zjarri është ngjitur në katin e dytë, ku ndodheshin dhomat e hotelit.
Të shtatë personat që ndodheshin në hotel kanë tentuar të largohen nga godina. Disa prej tyre, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, janë detyruar të hidhen nga ballkonet. Si pasojë, kanë pësuar fraktura, ndërsa të tjerë kanë marrë djegie në pjesë të ndryshme të trupit.


