Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare janë ekstraduar drejt Shqipërisë nga Kolumbia dhe Italia, në kuadër të operacionit “The Wanted”.
Policia e Shtetit njoftoi se, në bashkëpunim me Interpol Bogotën dhe Interpol Romën, u realizua ekstradimi i shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, si dhe i shtetasit shqiptar Fadil Ternova, 38 vjeç.
Sipas autoriteteve, 53-vjeçari kolumbian ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Nga hetimet rezulton se ai dyshohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, i nisur nga porti i Buenaventurës në Kolumbi, i cili kaloi përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas në portin e Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Shqipërinë. Sipas Policisë, marrësi i ngarkesës ishte një shtetas shqiptar, ndërsa 53-vjeçari kishte ndjekur të gjithë itinerarin e transportit deri në mbërritjen e ngarkesës.
Në kuadër të të njëjtit operacion u ekstradua nga Italia edhe Fadil Ternova, 38 vjeç, i lindur në Bulqizë, i kërkuar për disa vepra penale.
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tij rëndojnë akuzat për tentativë vrasjeje me armë zjarri, armëmbajtje pa leje, goditje për shkak të detyrës, si dhe një dënim të mëparshëm për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Hetimet tregojnë se në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, ai dyshohet se tentoi të vriste me armë automatike shtetasin A.P., pas një konflikti verbal për motive të dobëta.
Policia e Shtetit thekson se operacioni “The Wanted” vijon në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me synim lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.


