Vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën vazhdon të thyejë rekorde temperaturash në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore, duke përkeqësuar situatën e krijuar nga zjarret dhe thatësira.
Sllovakia, Austria dhe Hungaria janë ndër vendet që kanë regjistruar temperatura rekord. Agjencia Hidrometeorologjike e Sllovakisë njoftoi se në Dolné Plachtince u shënua një temperaturë prej 42 gradë Celsius, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Në Poloni, nivelet kritikisht të ulëta të ujit në lumin Visla detyruan autoritetet të ndalonin përkohësisht funksionimin e termocentraleve me qymyr në Kozienice dhe Połaniec, pasi mungesa e ujit pengoi procesin e ftohjes. Si pasojë, rrjeti energjetik polak humbi rreth 1.3 gigavat kapacitet prodhues.
Një ditë më parë, kryeministri polak Donald Tusk u bëri thirrje punëdhënësve të marrin masa për mbrojtjen e punonjësve, duke siguruar ambiente me ajër të kondicionuar dhe ujë të ftohtë.
Në Gjermani, aktivistët e klimës protestuan përpara kancelarisë, duke akuzuar qeverinë për mungesë veprimi ndaj pasojave të të nxehtit ekstrem. Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch, rreth 11.900 persona kanë humbur jetën këtë verë në Gjermani si pasojë e temperaturave të larta.
“Ky i nxehtë ekstrem dhe pasojat e tij janë rezultat i politikave të papërgjegjshme dhe të rrezikshme që mbështeten te lëndët djegëse fosile. Nuk duhet të mësohemi me mijëra vdekje nga i nxehti çdo verë”, deklaroi Annkatrin Schwirten nga organizata Fridays for Future Berlin.
Ndërkohë, kryeministri hungarez Péter Magyar njoftoi se një nga reaktorët e centralit bërthamor të Paksit është rikthyer në funksion, pasi nivelet e Danubit kanë nisur të rriten dhe reshjet në Austri pritet të përmirësojnë situatën. Megjithatë, ai u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë kursimin vullnetar të energjisë elektrike gjatë ditëve me temperatura të larta.
Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit dhe thatësira po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike, duke ushtruar presion të madh mbi popullsinë, infrastrukturën kritike dhe ekosistemet.
Paweł Pomian, përfaqësues i organizatës mjedisore polake EKO-UNIA, tha se termocentralet që kontribuojnë në ndryshimet klimatike po bëhen njëkohësisht viktima të tyre. Ai theksoi se zhvillimi i energjisë së erës dhe asaj diellore, të cilat kërkojnë shumë më pak ujë për prodhimin e energjisë, është thelbësor për garantimin e sigurisë energjetike dhe mbrojtjen e lumenjve në të gjithë Europën.


