Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në plazhin Marina di Ragusa në Siçili, ku qindra mijëra euro përfunduan në det dhe më pas u nxorën në breg nga dallgët. Pushuesit mbetën të habitur kur panë pako me kartëmonedha që notonin në ujë.
Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi kur një skaf i vogël mbeti pa karburant pranë portit të Marina di Ragusa. Në bord ndodheshin katër persona. Dy prej tyre zbritën për të siguruar karburant, ndërsa një burrë dhe një i mitur mbetën në mjet, i cili u shty nga rrymat detare drejt bregut.
Pushuesit njoftuan rojën bregdetare, duke menduar se skafi ishte në rrezik të fundosej. Por sapo mjeti i rojës bregdetare iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat që ndodheshin në skaf nisën të hidhnin në det dhjetëra pako të mbushura me kartëmonedha.


