Gazetarja Sonila Meco ka komentuar zhvillimet politike në vend.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ajo ironizon kryeministrin Edi Rama dhe mënyrën si ai po qeveris.
Meco shprehet e bindur se të gjitha akuzat e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani të bëra një vit më parë qëndrojnë.
Në fund ajo sfidon kryeministrin ku e fton të thotë se kush është “kazan”, një etiketim ky që shpesh herë shefi i qeverisë e përdor për të etiketuar mediat.
Statusi i plotë:
E thonë mandej se kujtesa e varfër të bën të lumtur:
Një vit më parë shkarkohej ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, pasi denoncoi kultivimin dhe trafikun e kanabisit në vend, pasi kërkoi angazhimin e ushtrisë në këtë betejë, pasi njoftoi se shërbimet partnere i kishin kërkuar kryeministrit të vendit largimin e Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, pasi kujtoi se ku flinin ministrat butë e ëmbël teksa nuk arrestohej Eskobari i Ballkanit.
Një vit më pas, të gjitha akuzat e tij dolën të vërteta, ndërsa Ministrja aktuale e Drejtësisë vijon e qetë punën pasi ka shkelur ligjin për ekstradimin e një të akuzuari për vepër penale në Shqipëri.
Pasi Ministri aktual i Brendshëm deklaron se kurrë nuk do ta firmoste atë ekstradim. Pasi dokumentet zyrtare e vërtetojnë këtë gjë.
Kujtesë duhet, kujtesë…as afatgjatë jo. Një rifreskim vetëm nga një vit më parë.
Kush është kazan tani?
Kush?


