Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas vendimit të Këshillit të Qarkut Shkodër për t’i dhënë gjyqtarit Astrit Kalaja statusin “Dëshmor i Atdheut”.
Në deklaratën e saj, Shoqata e ka cilësuar këtë vendimmarrje si një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së procedurave administrative për njohjen zyrtare të këtij statusi.
Sipas Shoqatës, kërkesa për dhënien e këtij vlerësimi ishte një nga çështjet kryesore të ngritura në mënyrë unanime gjatë Konferencës së Gjyqtarëve të mbajtur më 9 tetor 2025.
Vendimi i Këshillit të Qarkut Shkodër është mirëpritur si një vlerësim i merituar për gjyqtarin që humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Shoqata u ka bërë thirrje edhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të përfundojnë sa më shpejt procedurat për njohjen e plotë të statusit “Dëshmor i Atdheut”.
“Ky është trajtimi i denjë dhe ligjor për çdo shtetas që humbet jetën në krye të detyrës”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Astrit Kalaja u vra më 6 tetor 2025 gjatë ushtrimit të funksionit të tij si gjyqtar, ngjarje që solli reagime të forta nga sistemi i drejtësisë dhe institucionet shtetërore.


