SPAK ka dërguar për gjykim 15 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pjesëmarrje dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal, në një nga dosjet më të mëdha të viteve të fundit.
Sipas SPAK, të pandehurit akuzohen se kanë organizuar dhe financuar trafikun e sasive të mëdha të kokainës, hashashit dhe kanabisit nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrika Veriore drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke operuar përmes një rrjeti kriminal të strukturuar.
Në krye të grupit, sipas organit të akuzës, qëndron Artur Hoxhosmani, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, drejtim të grupit kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, si edhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Po si drejtues të grupit kriminal akuzohen edhe Genti Nderjaku, i njohur me nofkat “Kili” dhe “Ekil”, si dhe Nazmi Shahini, i njohur si “Drazhi”.
Ndërkohë, Devid Patrut (alias Devid Boraj, Elidon Skëndaj dhe Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri dhe Andrea Dylgjeri) akuzohen për trafik ndërkombëtar droge në episodin e datës 13 dhjetor 2020 në Guayaquil të Ekuadorit, si edhe për drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Për episode të zhvilluara në Rotterdam të Holandës gjatë vitit 2020 akuzohen Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (Dritan) Shkëmbi dhe Amer (Ilir) Lloshi.
Ndërsa Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani akuzohen për prodhim, shitje dhe trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal gjatë periudhës janar 2020 – mars 2021.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal ka trafikuar gjithsej 8,126 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht: 7,261 kilogramë kokainë; 590 kilogramë hashash; 275 kilogramë kanabis.
Sipas SPAK, droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Holandës, Spanjës dhe vendeve të tjera europiane.
Një pjesë e rëndësishme e provave bazohet në komunikimet e zhvilluara në platformën e enkriptuar Sky ECC, të siguruara nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas hetimeve, anëtarët e grupit koordinonin transportin e drogës, financimin, dorëzimin dhe shpërndarjen e saj në tregjet europiane përmes këtyre komunikimeve të koduara.
SPAK ka arritur në përfundimin se Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të aktivitetit kriminal.
Ndërsa Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar Shkëmbi, Amer Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani konsiderohen pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal.
Dërgohen për gjykim:
Artur Hoxhosmani, për kryerjen e veprave penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në formën e drejtimit, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në lidhje me fishekët e gjetur në banesë, e parashikuar nga neni 278/3 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në banesë, parashikuar nga neni 278/4 të Kodit Penal, si dhe “Futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, e parashikuar nga Neni 324/a/1 të Kodit Penal.
Genti (alias Kili, alias Ekil) Nderjaku dhe Nazmi Shahini (alias Drazhi), për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në rolin e drejtuesit.
1. Devid Patrut (alias Devid BORAJ, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, (në episodin e 13.12.2020, Guajaquyil, Ekuador) parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në formën e drejtimit.
2.Klevis Hoxhosmani, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar, më shumë se një herë (në episodet e datës 06-07.06.2020, Roterdam, Holandë; dhe 28.10.2020, Roterdam, Holandë) nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal në formën e pjesëmarrësit.
3.Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, dhe Amer (alias Ilir) Lloshi, për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/1 (në episodin e datës 28.10.2020, Roterdam, Holandë) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal në formën e pjesëmarrësit.
4. Julian Meçaj dhe Bledar Polovina, për kryerjen e veprave penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal (me tipologjinë e krimit vazhdues, përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021, kryer në formën e shitjesh dhe ofrimit për shitje), parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 dhe 6 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.
Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani, për kryerjen e veprave penale:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal (me tipologjinë e krimit vazhdues përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021, kryer në formën e shitjesh dhe ofrimit për shitje), parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 dhe 6 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.


