Ushtria amerikane ka përfunduar raundin e fundit të sulmeve ndaj Iranit, duke goditur më shumë se 80 objektiva ushtarake, sipas një njoftimi të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM). Në deklaratën e publikuar në platformën X, CENTCOM bëri të ditur se forcat amerikane kanë shënjestruar sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore, rrjetet e komandës dhe kontrollit, radarët bregdetarë, kapacitetet e raketave kundër anijeve, si dhe mbi 60 mjete të vogla lundruese të Gardës Revolucionare Islamike, të vendosura brenda dhe pranë Ngushticës së Hormuzit.
Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i aftësisë së Iranit për të vijuar sulmet ndaj anijeve tregtare që lundrojnë në korridorin ndërkombëtar të tregtisë.
“Forcat amerikane mbeten në pozicion të vendosur dhe të përgatitura për ta mbajtur Iranin përgjegjës kur marrëveshja nuk respektohet ose nuk zbatohet”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Ndërkohë, të dhënat e gjurmimit të fluturimeve treguan praninë e një numri të madh avionësh ushtarakë amerikanë pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit. Mes tyre u identifikuan të paktën 12 avionë furnizimi me karburant të Forcave Ajrore Amerikane, një avion zbulues P-8 Poseidon i Marinës së SHBA-së, si dhe një avion furnizimi me karburant i Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Avionët cisternë luajnë një rol kyç në operacionet ushtarake, pasi u mundësojnë avionëve luftarakë të qëndrojnë më gjatë në ajër pa pasur nevojë të ulen për furnizim. Më herët, CENTCOM kishte njoftuar se po zhvillonte “sulme të fuqishme kundër Iranit për të imponuar kosto të larta për synimin dhe sulmin ndaj anijeve tregtare”.


