Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë dhënë deklarata kontradiktore sa i përket bisedimeve të paralajmëruara mes dy vendeve në Katar.
Të dërguarit e posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, thuhet se janë nisur drejt Dohas disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një raund i ri negociatash do të zhvillohej këtë të martë.
“Takimi në Doha do të jetë, ndoshta i rëndësishëm, ndoshta jo. Do ta shohim. Por ne po fitojmë ushtarakisht. Ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore dhe ata nuk do të kenë armë bërthamore. Dhe ata kanë rënë dakord për këtë”, tha Trump.
Por Irani këmbëngul se nuk janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve në vijim, edhe pse një delegacion teknik iranian pritet të udhëtojë drejt Dohas më vonë gjatë javës.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, tha në një prononcim për mediat në vend se ekspertë të Iranit dhe Omanit do të nisin bisedimet për të ripërcaktuar korridoret e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë ditëve në vazhdim.
Ai paralajmëroi se Teherani nuk do të lejojë kalimin e anijeve jashtë itinerareve të përcaktuara dhe se askush tjetër, përveç Iranit, nuk do të largojë minat nga ujërat e Hormuzit.
“Ne jemi të vendosur fuqimisht të arrijmë një mirëkuptim me Omanin për administrimin e Ngushticës së Hormuzit. Republika Islamike e Iranit do të përcaktojë rrugët e transitit në këto kushte të përkohshme dhe ne nuk mund të pranojmë asnjë rrugë tjetër. Nëse anijet përdorin rrugë të tjera, ne do ta kundërshtojmë këtë dhe do të përpiqemi ta parandalojmë”, tha ai.
Deklaratat kontradiktore të palëve kanë shtuar dyshimet nëse negociatorët do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje brenda afatit 60-ditor.
Kjo ndodh pasi gjatë fundjavës të dyja palët shkëmbyen akuza dhe sulme ndaj njëra-tjetrës, mes pretendimeve për shkelje të armëpushimit.
Teherani sulmoi anije tregtare që, sipas tij, nuk iu bindën udhëzimeve të Gardës Revolucionare, duke shtyrë SHBA-në të ndërmarrë sulme ndaj objektivave iraniane.
Teherani u kundërpërgjigj me goditje ndaj bazave amerikane në rajon. Megjithatë, të dyja palët bënë një hap prapa të dielën në mbrëmje, duke lënë të kuptohet se do t’i riktheheshin diplomacisë.


