Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në afërsi të fshatit Ibë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej automjeteve drejtohej nga një punonjës policie. Pas përplasjes, situata është tensionuar pasi dyshohet se mes personave të përfshirë në aksident ka pasur edhe një përleshje fizike.
Burime bëjnë me dije se gjatë konfliktit efektivi i policisë ka nxjerrë armën e shërbimit nga brezi, por pa e përdorur atë. Deri më tani nuk ka të dhëna se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ndërsa rrethanat që çuan në këtë veprim mbeten ende objekt hetimi.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit, ndërsa për shkak të përfshirjes së një punonjësi policie, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka marrë në dorë hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Deri në këto momente nuk dihet nëse nga aksidenti apo përplasja e mëpasshme ka persona të lënduar. Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar, ndërsa detaje të tjera mbi ngjarjen priten në vijim.


