Dy të reja nga Topanica e Kamenicës kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në autostradën A5 në Gjermani.
Viktimat janë identifikuar si Erza Zubaku, 24 vjeçe, dhe Aulona Zubaku, 18 vjeçe, motra nga Topanica e Kamenicës. Policia gjermane ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen, duke bërë të ditur se në të njëjtin lokacion janë regjistruar dy aksidente të ndara. Aksidenti i parë ka ndodhur pak pas orës 11:30, pranë zonës së pushimit Renchtal, ku dy automjete janë përplasur gjatë një manovre ndërrimi korsie nga korsia e mesme në atë të majtë.
Sipas autoriteteve, për shkak të shpejtësisë së lartë, drejtuesit humbën kontrollin mbi automjetet, të cilat përfunduan të ndaluara në rrugë. Nga ky aksident një person mbeti i plagosur rëndë.
Pengesat e krijuara nga aksidenti i parë detyruan drejtuesit e automjeteve që po lëviznin pas tyre të frenonin papritur. Si pasojë, pranë nyjës së Appenweierit ndodhi një aksident i dytë i rëndë, ku u përfshinë pesë automjete.
Policia gjermane bëri të ditur se katër nga pesë automjetet e përfshira nuk kishin persona të lënduar, ndërsa dy vajzat që udhëtonin në një automjet të tipit Smart humbën jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të rënda.
Rrethanat e plota të aksidentit vazhdojnë të hetohen nga autoritetet gjermane.


