Në GJKKO ka nisur gjyqi për aferën Partizani, ku po dëshmon ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango, i cili ndryshoi ligjin për sportet për t’i hapur rrugë ndërtimit të 19 kullave nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. I pyetur nga prokuroria, Pango tha se nuk mban mend detaje pasi asokohe nuk kishte ngjarje në terrenet sportive dhe se prioritet ishte turizmi.
Pango tha se ishta pro privatizimit, por jo për ndryshimin e destinacionit dhe kundër ndryshimeve ligjore të 2008-s që i hapën rrugë kullave.
Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni. Pango dhe dikasteri që ai drejtonte e ndryshuan ligjin, duke e ndaluar privatizimin, por disa muaj më vonë me ndërhyrje të Berishës bëhet një tjetër ndryshim ligjor. Tashmë do të lejohej jo vetëm dhënia me koncesion por edhe privatizimi i plotë në favor të pronarëve, madje duke i dhënë të drejtën atyre që të ndryshonin destinacionin. Ashtu siç në fakt ndodhi në ambientet e ish klubit Partizani, ndërtimi i dhjetërave kullave.
Dëshmitarët e tjerë janë Tetis Lubonja dhe Altin Ceni, ndërsa Paro Laçi nuk është paraqitur. Shqiptarja.com ka zbardhur te plote deshmin e Pangos.
Prokurorja: Në një shkresë të datës 8 maj 2007, i jeni drejtuar qeverisë për ndryshimin e ligjit të sportit, duke parashikuar dhënien me koncesion pa ndryshim destinacioni. Pse e vlerësuat të nevojshëm këtë ndryshim ligjor?
Ylli Pango: Nuk e mbaj mend. Në të gjithë botën objektet sportive, nëse jepen me koncesion, i bëjnë nder vendit, sepse shteti nuk ka qenë aq i fuqishëm sa të ndërtonte apo rindërtonte stadiumet.
Prokurorja: Familja Begeja dhe disa familje të tjera ju kanë paraqitur kërkesë për privatizim. Keni marrë ndonjë vendim?
Ylli Pango: Ndoshta ekziston si dokumentacion. Unë jam pro privatizimit, duhet të respektojmë pronarët. Kërkesa vërtetohet me dokumente. Pëlqimi im është juridikisht nul, edhe nëse kam thënë “po”. Nuk mund ta pengoja privatizimin, sepse ky ishte prioritet.
Ylli Pango: Kam dhënë pëlqim, sepse ma kërkoi Genc Ruli.
Prokurorja: Meqenëse ligji për dhënien me koncesion ishte miratuar, si e keni dhënë pëlqimin për privatizimin?
Ylli Pango: Dhënia me koncesion dhe përfshirja e sektorit privat janë ligjore, janë të parashikuara në ligj.
Ylli Pango: Te ligji për koncesionet, shërbimet publike dhe infrastrukturën.
Ylli Pango: Amendimi përfshin pjesën e koncesioneve, por nuk përjashton sektorin privat.
Prokurorja: Në qershor 2008 keni çuar një amendament për ndryshime në ligjin për sportin, ku keni përfshirë privatizimin. Pse lindi nevoja për ndryshimin e ligjit?
Ylli Pango: Propozova privatizimin, nuk ka kontradiktë. Këtë e kam diskutuar edhe me oficerët e policisë gjyqësore dhe SPAK-un. Kjo nismë nuk është marrë nga unë, sepse nuk më shqetësonte ndonjë çështje e objekteve sportive. Me logjikë them se ka qenë një nismë qeveritare në kuadër të privatizimeve.
Prokurorja: Keni marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë?
Ylli Pango: Jo, nuk kam marrë pjesë.
Prokurorja: Ju keni kërkuar pakësimin e fondeve të investimit për sportet. Pse?
Ylli Pango: Jo, nuk mund të më kujtohet.
Klodiana Gjyzari: Ju thoni në relacion se kushti i mosndryshimit të destinacionit ishte thelbësor. Ndryshimi i vitit 2008 e ndryshonte këtë?
Ylli Pango: Ligjet i marrim nga vendet e zhvilluara. Shteti nuk i mban më këto objekte. Koncesionet i zhvillojnë ato, por duhet të ruhet destinacioni dhe unë e kam mbrojtur këtë parim./Shqiptarja.com/


