Alarmi për një objekt të dyshimtë në Rrugën e Elbasanit, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka rezultuar fals.
Bëhej fjalë për një kovë të lënë pranë rrugës, e cila për shkak të rrethanave dhe vendndodhjes krijoi dyshime dhe solli aktivizimin e menjëhershëm të procedurave të sigurisë.
Për disa minuta, zona u rrethua nga efektivët e policisë, ndërsa qarkullimi i automjeteve në segmentin pranë Ambasadës Amerikane u bllokua për të mundësuar verifikimet e nevojshme.
Pas kontrollit të plotë të kryer nga specialistët, u konfirmua se objekti nuk përbënte asnjë rrezik për qytetarët dhe nuk kishte përmbajtje të dëmshme apo shpërthyese.
Menjëherë pas përfundimit të procedurave, perimetri i sigurisë u hoq dhe qarkullimi në zonë iu rikthye normalitetit. Autoritetet vijojnë të apelojnë që çdo objekt i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të rendit, ndërsa verifikimet paraprake në këtë rast konfirmuan se alarmi ishte i pabazuar.


