Qeveria shqiptare ka nënshkruar këtë të martë marrëveshje me një kompani amerikane dhe një greko-amerikane, në fushën e energjisë.
Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë ishte e pranishme edhe ambasadorja e SHBA në Athinë, Kimberly Guilfoyle, e cila e quajti vendin tonë “me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Ballkanin dhe Europën”.
“Jam shumë e lumtur që jam sot këtu, krah mikut tonë shumë të mirë Edi Rama”, u shpreh ajo. “Ka dy marrëveshje që po nënshkruhen sot, si ajo 20 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror. Ky ndërveprim forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare të Shqipërisë. Memorandumi për ndërtimin e një qendre thelbësore energjetike, përfshi një impiant gazi, dëshmon rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme për të mirë të qytetarëve shqiptarë”.
Guilfoyle vlerësoi edhe rëndësinë e lidhjeve të forta Shqipëri-Greqi. “Ato janë më shumë se fqinje, ndajnë interesa të sigurisë, lidhje të thella njerëzore dhe bashkëpunim ekonomik. Kur SHBA, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor përfiton”, shtoi ajo.


