Një ditë pas aksionit të IKMT që prishi 8 ndërtesa, situata në Himarë në dukje ishte e qetë.
Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit janë larguar duke lënë pas gërmadhat e objekteve të shembura, në pritje të vendimit të gjykatës Administrative e Vlorës që vendosi masën e sigurimit të padisë për 12 objekte deri në shqyrtimin e çështjes me themel.
Një nga pronarët që iu drejtua Gjykatës akuzon se para nisjes së aksionit pranë tyre qëndruan “sekserë” që u kërkuan tokat për pallate.
Banor: Ky është projekti i sekserëve nga Shqipëria dhe Himara që thonë na jepni këto toka t’i bëjmë pallate.
Kosta Neranxi është një nga pjesëmarrësit në takimin me zv ministrin e Infrastrukturës Artan Shkreli ku banorëve iu la afat e enjtja për të plotësuar dokumentacionin e pronësisë! Ai thotë se asgjë nuk u bë në këtë drejtim!
Neranxi: Deri tani nuk është bërë asgjë.
Pranë banorëve të Himarës qëndroi deputeti demokrat Flamur Noka i cili duke u premtuar mbështetje, denoncoi dhunën, selektivitetin dhe përdorimin sipas tij nga Kryeministri Edi Rama për të zhvendosur vëmendjen nga çështja “Tahiri”.
Noka: Himara është dëshmi e alibisë për të fshehur Tahirin, pengmarrësin e kryeministrit. Skandali Tahiri ka marrë peng shtetin.
Duke e cilësuar projektin shkelje të të drejtave dhe identitetit, banorët e Himarës theksojnë se qëndresa do të vazhdojë, ndërsa qeveria ka bërë të qartë se projekti për shëtitoren e re nuk do të ndalet.
/AlpeNews.al/


