I burgosuri Altin Ndoci u shoqërua nga qelia e Burgut të Durrësit në spitalin rajonal për të kryer disa ekzaminime mjekësore, por arriti t’iu arratiset forcave të policisë. Ende nuk dihet sa ishin policër që e shoqëronin Ndocin, i cili mbahet në qeli që prej muajit maj 2020 me urdhër të SPAK për vrasjen e 4 personave.
Në një deklaratë paraprake, Drejtoria e Burgjeve tha se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Burime thonë se i arratisuri ka qëlluar policin që e shoqëronte në dhomë dhe është larguar me shpejtësi nga kati i tretë i infektivit duke zbritur nëpërmjet shkallëve.
“Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratë.
Ndoci akuzohet për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, si edhe Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë. Ai është pjesë e grupit të Çopjave. Sakaq, në zona të ndryshme të qytetit janë ngritur postoblloqe.


