Udhëheqësit e 35 shteteve do të takohen të martën në Paris për të diskutuar mbi garancinë e sigurisë për Ukrainën dhe Kievi është entuziast për të siguruar angazhime konkrete në rast se Rusia sulmon sërish.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në fjalimin për Vitin e Ri se priten të bëhen “angazhime të qëndrueshme” për mbrojtjen e Ukrainës nga ndonjë agresion i mëtejshëm rus pasi të vendoset marrëveshja.
“Më 6 janar në Paris, shumë shtete dhe aleatë europianë do të angazhohen konkretisht për të mbrojtur Ukrainën dhe për të mundësuar një paqe të drejtë dhe afatgjatë në kontinentin tonë europian”, u shpreh ai.
Në samitin e Parisit priten të marrin pjesë i dërguar special amerikan, Steve Witkoff dhe këshilltari i Trump, Jared Kushner. Gjithashtu do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Më 3 janar, këshilltarët europianë të sigurisë kombëtare patën një mbledhje në Kiev për të diskutuar një plan të mundshëm paqeje për Ukrainën. Pas këtyre bisedimeve, Zelensky tha se Ukraina po përgatitet si për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, ashtu edhe për vazhdimin e mbrojtjes së vendit nga sulmet ruse.
Axhenda e Parisit
Diskutimi për garancinë e sigurisë do të prekë një deklaratë të përbashkët të publikuar nga një grup liderësh europianë pas një takimi të muajit të kaluar në Berlin. Ata do të përqendrohen në angazhimet afatgjata për Ukrainën që synojnë të parandalojnë Rusinë të sulmojë apo pushtojë në të ardhmen.
Bashkë me ushtrinë perëndimore dhe mbështetjen politike ata shihen nga Kievi e Uashingtoni si pjesë thelbësore e një marrëveshjeje të mundshme.
Zotimi, i cili është krahasuar me Artikullin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive, konsiderohet themelor për të bindur Kievin që të braktisë aspiratën për t’iu bashkuar aleancës në këmbim të frenimit të bindshëm dhe të fuqishëm.
Garancia e ngjashme me Artikullin 5 do të kishte shumë pasoja për qeveritë europiane dhe kërkon miratimin e parlamenteve, një proces që parashikon rreziqe. Mbështetja nga Kongresi amerikan mund të lehtësojë hezitimin e disa vendeve europiane.
Një tjetër pikë kyçe në garancinë e sigurisë është mekanizmi për verifikimin e shkeljeve të mundshme të një armëpushimi të ardhshëm dhe vendosja e përgjegjësisë sepse pas identifikimit të një cenimi mund të nxisë një klauzolë si të Artikullit 5. Sistemi i propozuar parashikon dërgimin e pajisjeve të teknologjisë së lartë në pikën e kontaktit.
Një tjetër shtresë e garancisë së sigurisë është anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian. Plani i paqes prej 20 pikash parashikon pranimin deri në janar 2027, gjë që shumë zyrtarë në Komisionin Europian e konsiderojnë jorealiste dhe të pazbatueshme. Data ka shumë të ngjarë të ndryshojë dhe Ukraina mund të hyjë në bllok me faza për të shmangur çrregullimet si për shembull në tregjet bujqësore.
Për Kievin, përfshirja e një date anëtarësimi është prioritet pasi mund të ndihmojë në zbutjen e koncesioneve territoriale dhe të ndihmojë për një rezultat pozitiv në një referendum të ardhshëm.
Administrata amerikane ka deklaruar vazhdimisht se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e ardhshme të Ukrainës.
Pas një takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Zelensky në Florida në dhjetor, presidenti i SHBA-ve tha se do të kishte një marrëveshje “të fortë” sigurie për Ukrainën dhe tha se “vendet europiane janë shumë të përfshira”.
“Ndiej se vendet europiane kanë qenë vërtet të shkëlqyera dhe janë shumë në një linjë me këtë takim dhe me arritjen e një marrëveshjeje. Të gjithë janë njerëz të mrekullueshëm”, tha Trump.
Një nga elementët më të diskutueshëm që pritet të shqyrtohet në Paris është mundësia e vendosjes së trupave brenda ose pranë Ukrainës, por larg vijave të frontit.
Rusia ka deklaruar se nuk do të pranojë trupa nga vendet e NATO-s në territorin ukrainas.
Plani i paqes së Ukrainës
Pas bisedimeve me Trump në Mar-a-Lago, presidenti ukrainas tha se garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën ishin “100% të dakorduara”.
“Ne kemi arritje të mëdha, plani i paqes me 20 pika është 90% i dakorduar dhe garancitë e sigurisë SHBA–Ukrainë janë 100% të dakorduara”, u tha Zelensky gazetarëve. “Garancitë e sigurisë mes SHBA-ve, Europës dhe Ukrainës janë pothuajse të dakorduara. Dimensioni ushtarak është 100% i dakorduar.”
Zelenskyy tha se pas takimit në Paris, pritet që dokumentet të dakordohen “në nivelin e të gjithë liderëve” dhe vetëm atëherë do të caktohet një takim me Trump dhe liderët evropianë.
Zelenskyy gjithashtu i shpjegoi gazetarëve në chat-in presidencial në WhatsApp se pas një takimi me Trump dhe europianët, “nëse gjithçka shkon hap pas hapi, do të ketë një takim në një formë ose tjetër me rusët.”


