Nje ngjarje e rëndë tronditi mesditën e sotme Orikumin, ku një grua 40-vjeçare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, me shenja dhune.
Sipas burimeve, çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre dhe më herët kishin qenë drejt divorcit. Dyshohet se bashkëshortja ka qenë edhe më parë subjekt i dhunës në familje. Ndërsa mësohet se ata janë prindër të dy djemve të rritur.
Policia njofton se rreth orës 13:30 është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore për rastin, ndërsa nga veprimet e para hetimore dyshohet se viktima, Sose Xhebroj është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në zonën përreth banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur në ambientin e garazhit trupin e pajetë të bashkëshortit, i cili dyshohet se është vetëvrarë me armë zjarri pas ngjarjes. Arma e përdorur, një pistoletë, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.


