Viti 2025 ka lënë pas një panoramë shqetësuese sa i përket sigurisë publike në Shqipëri. Nga 1 janari e deri më tani janë regjistruar gjithsej 39 vrasje, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të mbeten pa autorë të identifikuar ose të arrestuar. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre krimeve të pazbardhura është përqendruar në veri të vendit, kryesisht në qarqet Shkodër dhe Lezhë, të cilat janë shndërruar në vatra të ngjarjeve më të rënda kriminale të vitit.
Alpenews.al ju rikujton disa prej tyre.
Seria e vrasjeve pa autorë të ndëshkuar nisi më 27 shkurt në Shkodër, ku u ekzekutua Pavlin Preka. Vrasja e 20-vjeçarit ndodhi në oborrin e banesës së tij dhe u konstatua nga xhaxhai. Për këtë ngjarje u shoqëruan rreth 20 persona, por pavarësisht hetimeve, rasti vijon të mbetet mister dhe drejtësia nuk ka arritur ende të identifikojë autorin ose autorët.
Më 17 prill, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Lezhën. Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, u vra në lokalin e tij në fshatin Pllanë, ndërsa ndodhej në tavolinë me një mik. Dy persona të maskuar e qëlluan për vdekje në prani të klientëve. 64-vjeçari humbi jetën në vend. Ngjarja dyshohet të ketë lidhje me hakmarrjen, duke qenë se djali i tij, Roan Brahimi, ishte vrarë një vit më parë në Greqi dhe njihej si një emër problematik për drejtësinë, si dhe rival i Ervis Martinajt.
Më 1 qershor, po në qarkun e Lezhës, u shënua një tjetër vrasje e pazbardhur, ajo e Pjetër Kazës. Ky krim e çoi në dy numrin e vrasjeve pa autorë në këtë zonë brenda pak muajsh. Hetimet dyshojnë se motivi kryesor lidhet me gjakmarrjen, si pasojë e konflikteve të hershme mes fisit Kaza dhe Gjini, një sagë që ka nisur rreth tre dekada më parë.
As vera nuk solli qetësi. Më 4 gusht, në Vau të Dejës, u vra Frrok Lleshaj, ish-punonjës policie. Edhe kjo ngjarje mbetet ende pa persona të ndaluar. Sipas hetimeve, vrasja dyshohet të lidhet me hakmarrje, pasi rezulton se më shumë se 20 vite më parë viktima kishte vrarë kushëririn e tij, Dodë Lleshaj.
Krimi u rikthye sërish në Shkodër më 4 shtator, me vrasjen e Kristjan Kolës. Ai u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar, ndërsa ndodhej në një lokal duke pirë kafe. Motivet mbeten të paqarta, pasi viktima nuk rezultonte me precedentë penalë të rëndë. Edhe ky rast vijon të jetë i pazbardhur.
Ngjarja më e fundit dhe një nga më të rëndat ndodhi më 11 nëntor në zonën e Rinasit, ku në të njëjtin atentat humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri. Vrasja e dyfishtë ndodhi pranë rrethrrotullimit të aeroportit, një zonë e mbuluar gjerësisht me kamera sigurie. Megjithëse pamjet u sekuestruan dhe u raportua për përfshirje të elementëve të botës së krimit, por edhe individëve nga radhët e policisë, hetimet ende nuk kanë çuar në arrestimin e autorëve.
Ngjarja më kriminale e këtij viti padyshim ishte vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025 në sallën e gjyqit. Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë nga një i pandehur gjatë një seance për një konflikt pronësie.
Pavarësisht se për të gjitha këto ngjarje grupet hetimore kanë administruar prova, kanë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe kanë marrë në pyetje persona që mund të kenë pasur dijeni për krimet, gjithashtu disa ngjarje janë zbardhur nga policia.








