As një vit nuk është mbushur nga ardhja në detyrë e Donald Trump, por nga perspektiva e Brukselit, kjo kohë është një përjetësi. Valë tronditëse njëra pas tjetrës i kanë mbajtur evropianët në ankth; çdo javë solli kërkesa të reja, akuza dhe më pas ndryshime rrënjësore. Tronditja e 4 dhjetorit ishte kulmi i ri i përkohshëm dhe ka të ngjarë të jetë më e zgjatura. Një tronditje që e godet në palcë Evropën.
Strategjia e re e sigurisë kombëtare të SHBA-së mbarti disa surpriza për aleatët e saj. Kina nuk është më një rivale sistemike, por thjesht një konkurrente ekonomike. Rusia pranohet si një fuqi e madhe me një treg premtues, veçanërisht për lëndët e para. Dhe nëse lindin konflikte me presidentin e saj, Vladimir Putin, Donald Trump ofron shërbimet e tij si ndërmjetës. Po Koreja e Veriut? As që përmendet më. Gjatë mandatit të parë të Trump, Kim Jong-un ishte ende armiku numër një publik.
Vlerësim rrënues
Strategjia e re amerikane e sigurisë tregon ndarjen më radikale që ka ndodhur me evropianët. SHBA-të, vendi që çliroi Evropën nga terrori nazist gjerman më shumë se 80 vjet më parë me një kosto të madhe, më pas u bënë edhe fuqia mbrojtëse e kontinentit dhe, në veçanti, gjithmonë e mbështetën projektin e Bashkimit Evropian, tani janë armiku i tij. Paragrafët kushtuar BE-së lexohen si një aktakuzë. Ato paraqesin një pamje të një BE-je plotësisht të rrënuar në prag të kolapsit civilizues, të gërryer nga migrimi masiv, shtypja e opozitës, normat e ulëta të lindshmërisë dhe censura.
“Askush prej nesh nuk duhet të tronditet nga fjalët që thonë të tjerët për ne”, rekomandoi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhjetë ditë pasi u njoftua strategjia e re. Paragraf pas paragrafi, ajo i çmontoi deklaratat nga Uashingtoni. Evropa rezervon të drejtën për të nxjerrë ligjet e veta – refuzim ky i presionit amerikan për të lejuar kompanitë amerikane të teknologjisë të operojnë sa më lirshëm të jetë e mundur, të papenguara nga rregulloret evropiane.
Në Evropë, vazhdoi Presidentja e Komisionit, të gjithë mund të votojnë për “kë të duan”, pa presion apo manipulim të jashtëm. Kjo duhet të kuptohet pa dyshim. Por von der Leyen e bëri të qartë se çfarë rrezikohet: “liria për të jetuar siç duam”.
Një projekt kundër SHBA-së?
Që presidenti i Amerikës e përçmon thellësisht Bashkimin Evropian bëhet e qartë në një nga konferencat e tij të pafundme për shtyp. “BE-ja u themelua”, deklaroi Trump në samitin e NATO-s në Hagë këtë verë, “për të shkatërruar SHBA-në”.Trump e shikon suficitin tregtar të evropianëve si një fyerje personale: “Ata nuk i duan makinat tona!” Tarifat drastike janë përgjigja e tij; BE-ja duhet të dobësohet. Dhe ai mbjell pasiguri duke vënë vazhdimisht në pikëpyetje angazhimin besnik ushtarak të SHBA tek aleanca e NATO-s.
Strategjia e sigurisë kombëtare e 4 dhjetorit e SHBA shkon edhe më tej. Aty pretendohet, se liria e shprehjes censurohet në BE dhe opozita shtypet. Kjo i referohet partive të krahut të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në BE – të cilat duhet të forcohen. Kjo është arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance nuk u takua me kancelarin gjerman në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt, por me Alice Weidel, drejtuesen e AfD-së.
Për shembull, fondet nga Fondacioni Heritage shkuan për politikanin britanik të ekstremit të djathtë Nigel Farage. “Tani duhet ta presim këtë në kontekstin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare për Evropën kontinentale”, vëren Clüver Ashbrook. Partitë e krahut të djathtë në Evropë po mbështeten – në Hungari, ku ato janë tashmë në pushtet, dhe në vende si Gjermania, ku ato janë në opozitë.
Mbështetjes së drejtpërdrejtë për partitë politike i shtohet edhe rrjetëzimi nëpërmjet medias, përfshirë në Gjermani. Para zgjedhjeve federale në shkurt, Elon Musk vlerësoi AfD-në jo vetëm në platformën e tij X, por gazeta e përditshme Die Welt, në pronësi të shtëpisë botuese Springer, botoi gjithashtu mbështetjen e Musk për AfD-në si artikull i të ftuarit. Drejtori ekzekutiv i Springer, Matthias Döpfner, ndërhyri personalisht pas publikimit të strategjisë së re të sigurisë të Trump. Evropa duhet ta dëgjojë Trumpin, shkroi Döpfner në një editorial në Die Welt; asnjë fjalë kritike nuk gjendet në editorial./ DW


