Sali Berisha ka lënë selinë e Partisë Demokratike për t’iu bashkuar mbështetësve që po presin fillimin e tubimit të tij para Kryeministrisë, ku numri i të pranishmëve duket tejet i ulët.
PD dhe mbështetësit e saj zbresin në Bulevardin qendror të kryeqytetit, në një protestë kombëtare kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit bllokoi heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, duke refuzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.
Balluku akuzohet për korrupsion me tenderat dhe SPAK e GJKKO kanë vendosur ndaj saj masën e sigurisë pezullim nga ushtrimi i funksioneve, por Gjykata Kushtetuese e ktheu në detyrë, të paktën deri në 22 janar kur çështja të shqyrtohet në themel.
Opozita nis kështu stinën e protestave kundër Ramës, siç është njoftuar nga kryedemokrati Sali Berisha.
Lideri i PD ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se “po nuk u largua kryeministri Edi Rama, opozita rrezikon të shkrihet”.


