Vepra më lart e artistit, Vangjel Nikolla kap magjinë e stinës së vjeshtës mbi liqenin përreth qytetit të Pogradecit. Piktori ka krijuar një atmosferë qetësie dhe nostalgjie duke theksuar bukurinë e natyrës shqiptare. Detajet e veçanta të pikturës dhe ngjyrat sjellin ndjesinë e paqes dhe relaksit të momentit.
Vangjel Nikolla, i lindur në 1969 në Korçë, Shqipëri, nisi të pikturonte që në fëmijëri dhe krijoi pikturën e tij të parë në tempera në moshën 10-vjeçare.
Ai kreu shkollën e mesme artistike në Korçë dhe më pas Institutin e Ministrisë në Tiranë, ku zhvilloi pasionin e tij për pikturën dhe çeli ekspozitën e parë.
Pas përfundimit të studimeve, Nikolla vendosi të jetojë në Greqi, ku zhvilloi më tej talentin e tij dhe kreu shkollën për ikonografi nën drejtimin e ikonografit Joanis Vranos. Ai ndërthur në veprat e tij artin klasik me atë bizantin, duke krijuar një stil unik, ndërsa shumë nga ikonat e tij ndodhen në manastiret e Malit të Shenjtë dhe kishat në Greqi.
Nikolla është gjithashtu restaurues i pikturave dhe kishave të vjetra, duke rikthyer vlerën historike të tyre, dhe ka realizuar qindra punime që përfshijnë peisazhe, portrete, natyra të qeta dhe piktura me temën e detit dhe dashurisë.


