Në kuadër të takimit të parë të përbashkët ndërqeveritar Shqipëri–Itali, që u zhvillua sot në Romë, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim të frytshëm me Ministrin e Brendshëm të Italisë, Matteo Piantedosi.
Në qendër të bisedës ishin forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë, lufta kundër trafikut të narkotikëve, krimit të organizuar e pastrimit të parave, si dhe shkëmbimi i eksperiencave në trajnimin e policisë.
Në prani të të dy ministrave, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës” ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës të Republikës Italiane. Ky dokument synon rritjen e cilësisë së bashkëpunimit operacional, lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mbi grupet kriminale, forcimin e operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta, si dhe zgjerimin e programeve të trajnimit dhe shkëmbimeve profesionale midis strukturave policore të dy vendeve.

Po ashtu, u vlerësua mbështetja e vazhdueshme italiane për Akademinë e Sigurisë, në kuadër të marrëveshjes së vitit 2023, përmes së cilës janë trajnuar deri tani 68 studentë dhe pedagogë shqiptarë në akademitë e Policisë italiane.
Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi akademik dhe harmonizimit të programeve të formimit policor, për të mundësuar njohje të ndërsjellë të diplomave dhe rritje të standardeve të trajnimit.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara, që tregon se kur ekziston besim dhe vizion i përbashkët, rezultatet janë të qëndrueshme dhe në dobi të sigurisë së qytetarëve tanë,” u shpreh Ministrja Koçiu pas takimit në rrjetet sociale.
Takimi dhe nënshkrimi i memorandumit përfaqësojnë një moment të ri në bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, duke thelluar më tej partneritetin e gjatë mes dy vendeve mike.


