Mes përplasjeve me Perëndimin për të arritur një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë, Rusia ka testuar një raketë të re me energji bërthamore të quajtur Burevestnik.
Testimi është bërë më 21 Tetor, dhe raketa përshkroi 14,000 kilometra (8,700 milje) e qëndroi në fluturim për rreth 15 orë, i tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse Valery Gerasimov presidentit Vladimir Putin.
Putin pretendon se 9M730 Burevestnik (Stuhia Petrel), i njohur me nofkën SSC-X-9 Skyfall nga NATO — është “e pamposhtur” kundër mbrojtjeve raketore aktuale dhe të ardhshme, me një rreze veprimi pothuajse të pakufizuar dhe një shteg fluturimi të paparashikueshëm. Kjo raketë “nuk ka të barabartë në botë”, tha Putin gjatë një vizite në Postën e Komandës së Forcave të Përbashkëta, siç raportohet nga TASS.
“Kam një raport të industrisë dhe vlerësimet e Ministrisë së Mbrojtjes janë përgjithësisht të njohura. Në fund të fundit, është një produkt unik, ndryshe nga çdo tjetër në botë. Mbaj mend qartë kur njoftuam se po zhvillonim një armë të tillë. Edhe specialistë të kualifikuar më thanë se, po, ishte një qëllim i vlefshëm dhe i denjë, por i paarritshëm në të ardhmen e parashikueshme. Ky ishte mendimi i specialistëve të kualifikuar, e përsëris”, tha ai.


