Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës, vijon të mbetet e mbushur me mister, ndërsa ende autoritet nuk kanë dhënë asnjë detaj nga rezultatet e autopsisë se me çfarë u shkaktua plaga në këmbë që i mori jetën. Por, gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka arritur të mësojë përmes burimeve se sipas rezultatit të autopsisë italiani është qëlluar me një plumb në këmbën e djathtë, plagë e shkaktuar nga një armë zjarri.
Dinamika e vrasjes së Sarchit është ende e paqartë dhe se nga çfarë distance është qëlluar. Ndërkohë, nga ajo çfarë Report Tv ka mësuar deri më tani, në vendin e ngjarjes u gjetën vetëm dy çifte, por rezulton se plaga në këmbën e italianit nuk është shkaktuar nga të shtënat me çifte. Arma me të cilën u qëllua italiani nuk është gjetur në vendin e ngjarjes.
Report Tv mësoi se italianit Sarchi i është dhënë lamtumira një ditë më parë në një ceremoni mortore në Tufinë. Prej 20 vitesh ai ishte vendosur në vendin tonë dhe ishte i martuar me një grua shqiptare nga Fushë-Kruja, me të cilën kishte edhe dy fëmijë.Ceremonia mortore ka qenë private dhe shumë kushërinj të italianit nuk kanë mundur të mbërrijnë për të marrë pjesë, ashtu siç tregoi edhe kushëriri i tij Riccardo Barbieri në një intervistë për La Repubblica. Madje, në ceremoninë mortore nuk mundi të marrë pjesë as motra e italianit Sarchi.
Për herë të parë Report Tv zbulon edhe lidhjen mes biznesmenit italiani dhe familjes Eqerem Braçit. Mësohet se gruaja e Sarchit, Malinda Taga është ortake 50 me 50 me Gazmend Braçin, djalin e Eqeremit, në kompaninë “Salaria Gazi” me qendër në fshatin ku kanë edhe shtëpinë e pushimit që ftuan italianin. Taga është edhe financierja e fabrikës së tullave që Sarchi administronte prej vitit 2023, “Tegola Edilcentro”.
Ndërkohë që 4 personat e shoqëruar u lanë të lirë më 27 shtator, në të njëjtën ditë që Sarchi u gjet i pajetë në rrugë në fshatin Salari të Tepelenës. Të katërt, Eqrem Braçi me dy djemtë, Gazmend dhe Daniel, dhe bariu Armir Hitoveizi kanë dhënë dëshmi kontradiktore.
Eqerem Braçi dhe djemtë e tij pretendojnë se janë sulmuar me armë nga një person misterioz, në Dilan mes Nivicës dhe Salarisë, aty ku është skena e krimit. Sulmi me armë sipas tyre ka qenë i papritur. Të shoqëruarit kanë thënë se fillimisht kanë dëgjuar tre të shtëna të cilat kanë qenë shumë afër çka bëri që të ndalej automjeti i parë tip Land Rover në bordin e të cilit ishte biznesmeni italian dhe njëri prej personave të shoqëruar. Edhe bariu ka deklaruar se dëgjoi 3 të shtëna me armë. Por, Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja.
Dyshohet se Sarchi kishte dalë për gjah mesnatën e 27 shtatorit, kur u gjet i pajetë mes fshatit Salari dhe Nivicë, në një prej akseve që përshkojnë Tepelenën. Ngjarja është e mbushur me mister dhe një sërë pikëpyetjesh.


