Dronë të paidentifikuar janë vërejtur në qiellin mbi bazën më të madhe ushtarake të Danimarkës Karup mbrëmjen e së premtes, rasti I katërt brenda një jave. Ngjarjen e ka njoftuar policia daneze, në episodin më të fundit të një serie incidentesh që autoritetet i klasifikojnë si pjesë të asaj që e quajnë “sulm hibrid”.
“Mund të konfirmoj se kemi pasur një incident rreth orës 20:15, i cili zgjati për disa orë. Një ose dy dronë janë vëzhguar jashtë dhe mbi bazën ajrore”, tha për AFP një agjent policie. Policia daneze nuk komentoi mbi origjinën e dronëve dhe theksoi gjithashtu se ata nuk janë rrëzuar.
Edhe në Ukrainë, Presidenti i vendit Volodymyr Zelensky njoftoi se disa dronë zbulues që, sipas tij ka gjasa t’i përkasin Hungarisë, shkelën hapësirën ajrore të vendit përgjatë kufirit, me incidentin e parë të këtij lloji që raportohet mes dy vendeve. Zelensky tha në X se forcat ukrainase kanë regjistruar inkursione të dronëve në zonat kufitare dhe se vlerësimet paraprake sugjerojnë se mjetet ajrore pa pilot po “kryenin zbulim mbi potencialin industrial të rajoneve kufitare të Ukrainës”
“Kam dhënë urdhër që të verifikohen të gjitha informacionet e disponueshme dhe që të hartohen raporte urgjente për çdo incident të regjistruar.”, tha Zelensky.
Por Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, i hodhi poshtë pretendimet e Zelenskyt. Ai shkroi në rrjetet sociale se Presidenti ukrainas po humbet toruan për shkak të fiksimit të tij anti-hungarez dhe se tani ka filluar të shohë gjëra që nuk ekzistojnë. Deklaratës së tij iu përgjigj zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i cili tha se Kievi ka nisur të shohë hipokrizinë dhe degradimin moral të qeverisë së Hungarisë të cilën e quajti një shërbëtore të Moskës.
Komisioneri i BE-së për Ekonominë, Valdis Dombrovskis tha për France 24 se Unioni është tashmë në një luftë hibride me Rusinë. Sipas tij, kjo gjë po dëshmohet nga provokimet e ndryshme nga dezinformimi te sabotimi dhe deri te përdorimi i emigracionit si ‘armë’.
Dje, ministrat e Mbrojtjes të rreth 10 vendeve të BE-së ranë dakord ta bëjnë të ashtuquajturin “mur dronësh” një përparësi për Unionin, pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore në disa shtete anëtare gjatë javëve të fundit.


