Presidenti kinez Xi Jinping po përpiqet të transformojë Organizatën për Bashkëpunim të Shangait (OBSH) nga një platformë dialogu në një mekanizëm të bashkëpunimit praktik dhe gjithëpërfshirës. Por sa është e mundur një gjë e tillë, cilat janë objektivat dhe sfidat e saj?
Sipas politologut Ian Bremmer, president i kompanisë së konsulencës për rreziqet politike Eurasia Group, shumë shtete po shqyrtojnë alternativa të reja për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë në politikat e Shteteve të Bashkuara dhe të një lidership-i të vazhdueshëm në çështjet e sigurisë, tregtisë dhe diplomacisë.
Megjithatë, sipas Bremmer, ekzistojnë kufizime të mëdha strategjike: India dhe Kina kanë pozicione të kundërta politike në shumë çështje dhe vende të rajonit. Ato garojnë për ndikim në vende si Sri Lanka, Maldivet dhe veçanërisht në Pakistan, me të cilin Kina ka marrëdhënie të ngushta, ndërsa India një rivalitet të thellë. Këto tensione nuk do të zhduken.
Por, ai shton se India është e vetëdijshme për përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-të, sidomos me presidentin amerikan që dikur shihej si aleat i mundshëm, por tani është bërë i pabesueshëm.
“Kjo e shtyn Indinë të përmirësojë marrëdhëniet me Kinën rivalin më të fuqishëm në rajon, për të ndërtuar marrëdhënie tregtare më të qëndrueshme, për të ulur tensionet dhe për të përmirësuar diplomacinë, veçanërisht në kufi”, thotë Bremmer. Sipas tij, vizitat e gjata të kryeministrit Modi në Kinë dhe angazhimi diplomatik i ministrit të Jashtëm indian, Jaishankar, janë dëshmi e kësaj përpjekjeje.
Ndryshe nga Kina, Rusia nuk gëzon të njëjtin ndikim. “Rusia nuk është më një fuqi e madhe. India nuk ka më shumë përfitime strategjike nga bashkëpunimi me të, përveç naftës së lirë. Marrëdhëniet ushtarake janë në rënie prej vitesh dhe India nuk planifikon të blejë më armatime ruse, pasi ato janë pak dhe me cilësi të dobët.”
Për presidentin rus Vladimir Putin, samiti i OBSH-së është një mundësi për t’u paraqitur si lider i pranueshëm në rendin e ri botëror.


