Mbahet sot, në orën 10:30, seanca e radhës në GJKKO për dosjen Partizani, ku Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash.
Seanca e parë, e mbajtur më 30 qershor, u shty për shkak të mungesës së Sali Berishës me pretendimin se nuk kishte marrë fletëthirrjen, dhe mungesës së Fatmir Bektashit, i cili argumentoi se është sëmurë. Malltezi, i cili ishte i pranishëm, tha para trupës gjykuese se nuk e kishte njoftuar Berishën për fletëthirrjen për t’u paraqitur në gjykatë.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u mbajt peng prej 7 muajsh. Asnjë nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka do të thotë që do të jetë një proces i gjatë. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.


