Adriatik Lapaj ka dërguar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve një shkresë ku kërkon nga Ilirjan Celibashi respektimin e dorëheqjeve të kandidatëve në listën e mbyllur.
Shkresa e depozituar këtë të enjte nënvizon se dorëheqja është bërë nga kandidimi dhe si e tillë, emrat në listën e mbyllur kanë humbur të drejtën e përfitimit të mandatit.
“Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025”,- theksohet në letrën e “Shqipëria Bëhet”.
Në fund të kërkesës thuhet që në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve.
“Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur”,- përfundon kërkesa.
Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit ka nisur një ‘luftë’ me distancë mes Lapajt dhe Endri Shabanit, pasi daja i këtij të fundit, i renditur në listë të mbyllur, ka kërkuar mandatin e deputetit, me pretendimin se nuk ka firmosur dorëheqje më parë.


