Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, është shoqëruar në spitalin e Durrësit nën masa të rrepa sigurie. Burimet i thanë Report Tv se kryebashkiaku është shoqëruar ditën e sotme për të kryer disa ekzaminim.
Konkretisht mësohet se Veliaj ka kryer gastroskopi, një kontroll që të cilin e kryen në mënyrë periodike çdo dy vite. Por ajo çfarë bën çudi është jo vetën prania e lartë e policëve që ka shoqëruar Veliajn, por edhe fakti se e kanë larguar me urgjencë nga spitali, ende pa mbaruar serumin.
Rreth 1 orë e 30 minuta ka qëndruar Veliaj në spital dhe më pas të njëjta forca police e kanë shoqëruar për në Paraburgimin e Durrësit për të vijuar aty me trajtimin.
Po ashtu e çuditshme është edhe fakti se për çfarë duhen kaq shumë efektivë për të dërguar Veliajn në spital. Burimet i thanë Report Tv se Veliaj është shoqëruar me rreth Forca Speciale të Policisë së Burgjeve. Ndërkohë, të burgosurit në raste të tilla shoqërohen nga një polic burgjesh, por për të dërguar kryebashkiakun e Tiranës deri në spital janë dashur me dhjetëra policë e masa të rrepta sigurie.
Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit dhe po hetohet për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.


