Ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave në të gjithë qarkun e Tiranës. Ky proces nuk ka ndryshuar asnjë rezultat në mandate, por ka zbuluar trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Rezulton se disa kandidatë që pretendonin për humbje votash, në fakt rinumërimi ju ka hequr shumë vota të padrejta. I tillë është rasti i kandidatit demokrat Ilir Alimehmeti, në procesverbal rezulton të ketë 137 vota më shumë se çfarë kishte realisht në kuti. Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku, rezulton me numrin më të madh të votave të padrejta nga lista e opozitës, 251 më shumë.
Zgjedhjet e 11 majit, KQZ shpërndan mandatet për qarqet Vlorë, Shkodër, Berat dhe Dibër
Sa i përket Partisë Socialiste, rekordin e mban ministri Ervin Hoxha ka 300 vota më shumë, ndjekur nga Fatmir Xhafaj me 233 vota më shumë në procesverbalë se sa kishin në kutinë e votimit dhe Erion Braçe me 173 vota plus.
Në një deklaratë për mediat nga pallati i sportit “Farie Hoti”, anëtari i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, Ledio Braho ka deklaruar se votat që kanë dalë të ndryshme nga numërimi fillestar, kanë ndodhur si shkak i gabimeve njerëzore.
“Po të vini re shifrat janë më të larta te ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Duket që është proporcionalitet gabimi dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash këto shifrat e mëdha do ishin te kandidatët që kanë marrë realisht pak vota. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash”, tha Braho.


