Ditën e nesërme Shqipëria do të jetë arena kryesore e një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake të dekadës në Evropë dhe Afrikë, “Defender Europe 25”.
Defender Europe 25” do të zgjasë deri më 9 qershor dhe ka për qëllim rritjen e gatishmërisë së përbashkët, ndërveprimit të forcave dhe kapacitetit të përgjigjes ndaj kërcënimeve në një ambient operacional kompleks. Skema e stërvitjes bazohet në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen kolektive në rast të një sulmi ndaj ndonjë vendi aleat.
Nga ana tjetër veç Shqipërisë, një tjetër vend kyç ku do të zhvillohen aktivitete është Kosova. Në të dy vendet do të trajnohen skenarë të mbrojtjes së infrastrukturës kritike, sigurimi i pikave të imbarkimit dhe menaxhimi i logjistikës së avancuar, thelbësorë për reagimin në kohë reale ndaj kërcënimeve të mundshme.
Shqipëria, për të disatin vit radhazi, konfirmohet si një partnere strategjike e pazëvendësueshme në ushtrimet e përbashkëta ushtarake, duke shërbyer si nyje e rëndësishme në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.


