Në komisionin e ekonomisë u diskutua projektligji për Buxhetin 2018, e cila ndër të tjera parashikon që të përfshijë në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël. Aktualisht bizneset me që kanë një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë janë të përjashtuar nga TVSH-ja.
Megjithatë, sipas anëtares së opozitës Jorida Tabaku, ky vendim pritet që të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas zonjës Tabaku, Buxheti 2018, do të rëndojë bizneset e vogla, ndërsa shtoi se edhe FMN-ja nuk e rekomandon vendosjen e TVSH-së.
Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.
Më herët qeveria kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të përfshihen të gjitha bizneset e vogla, duke mbyllur kështu zinxhirin e transaksioneve. Mirë po Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se pragu do të ulej nga 5 milionë në 2 milionë, duke lënë jashtë skemës fermerët, artizanët dhe një grup profesionesh.