Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur në mënyrë të njëanshme një armëpushim tre-ditor në Ukrainë nga 8-11 maj.
Ky vendim është marrë për të shënuar 80-vjetorin e “Ditës së Fitores”, ditë të cilën ish-Bashkimi Sovjetik triumfoi në Luftën e Dytë Botërore ndaj Gjermanisë naziste.
“Të gjitha veprimet ushtarake janë pezulluar gjatë kësaj periudhe. Rusia beson se pala ukrainase do të ndjekë këtë shembull”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu nëse ky vendim nuk respektohet, Kremlini ka theksuar se ata do të kundërpërgjigjen.
“Në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, forcat e armatosura ruse do të japin një përgjigje adekuate dhe efektive. Pala ruse deklaron edhe një herë gatishmërinë e saj për negociata paqësore dhe ndërveprimin konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë”, vazhdon deklarata.
Ukraina ende nuk ka reaguar për këtë vendim të presidentit rus.


