Në një kohë, kur diktatura po rrokullisej tatëpjetë honit, disa kritizerë vogëlanë me grada shkencore, u orvatën të shkonin më larg. Në librin Historia e Shqipërisë, vëllimi II-të, viti 1984, tjetërsimi i historisë kaloi çdo kufi, me shtrembërime faktesh si këto: “Përfaqësuesit e rrymës reformiste të lidhur me regjimin e Sulltanit, synonin të kufizonin lëvizjen kombëtare, vetëm me disa kërkesa kulturore dhe ekonomike. Shprehëse e ideve dhe programi i kësaj rryme ishte revista Albania e Konicës”! Po kush ishin këta “përfaqësues”? Në revistën ‘Albania’, Konica mblodhi rreth vetes poetë e shkrimtarë të talentuar, si; Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Çajupi, Fan S. Noli, Asdreni e Filip Shiroka, të njohur në histori si patriotë të lirisë e pavarësisë atdheut.
Ndërsa në librin ‘Historia e Letërsisë Shqiptare’, gjenden këto radhë me të pavërteta, shpifje e fyerje: “Faik Konica (1875-1942). Bir i një familjeje të vjetër bejlerësh, kryesisht publicist, ai nisi veprimtarinë letrare me botimin e revistës ‘Albania’ (Bruksel 1897) dhe drejtoi për disa kohë gazetën ‘Dielli’ të emigracionit shqiptar në SHBA, ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës.
Që në vitin e saj të parë, ‘Albania’ u vu në shërbim të politikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë. Politikan i paskrupull, Konica ishte i paqëndrueshëm, brutal e agresiv tërë jetën, duke sulmuar me një rast e me një tjetër shumë patriotë përparimtarë, duke u orvatur të diskreditonte qeverinë e parë të Ismail Qemalit, apo të godiste Kongresin e Lushnjës.
Pas kundërrevolucionit të vitit 1924, ai u lidh me regjimin e Zogut, u përpoq të dëmtonte pabesisht Nolin me polemika e kërcënimet, apo të përçmonte veprën e Naimit. Shpesh ai paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcën popullore e përparimtare, duke mbrojtur, nga ana tjetër, që në krye të herës, tezën se vetëm paria aristokrate ishte në gjendje të udhëhiqte Shqipërinë. Këto të tëra, të veshura me një petk oksidentalizmi”!
Lindja e Faik Konicës më 15 mars 1875, në një familje fisnike shqiptare në Konicë, vendbanim i hershëm shqiptar, pa asnjë dyshim ndikoi në edukimin e shtegtimin e tij atdhetar, arsimor e kulturor. Mësimet e para i mori në vendlindje, mësimet e mesme në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër e, në Liceun Perandorak francez të Gallatës në Stamboll dhe i përfundoi në Francë. Pas tyre ndoqi studimet e larta për filozofi në Dizhon e Paris,
Atje, në disa konkurse për hirrë të aftësive intelektuale, u nderua me çmime të para. Mandej la Europën e udhëtoi për në Amerikë. Më 1912, u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit. Historia e vërtetë për Faik Konicën rendit një varg vlerash: atdhetar i madh, politikan, drejtues i lëvizjes patriotike dhe diplomat.
“Vërtet shqiptarët sot për sot, zunë të kenë një dëshirë të pa-mbajtur për gjuhën t’onë; vërtet ata më të ftohtët zunë të kuptojnë se është nevojë t’i fryjmë gjallim kombit; vërtet dalin libra e të përkohshme, në të cilat kombi mori shije e pa të cilat nuk jeton dot pas sodit; vërtet, me një fjalë, punët ndryshuan në ca vjet e sipër, e kush nuk është i verbër s’mundet të mohojë që sot për sot shumë Shqiptarëve u digjet zemra për përparimin e Atdheut. Po, me gjithë këto, nuk kemi lumtimin të shohim një bashkim të vërtete e të fortë”!
Hasan Kaleshi, një nga studiuesit seriozë të veprës së Konicës, rreth zhurmës akademike në lidhje me qëndrimin ndaj Austrisë, shkruan: “Edhe sikur kjo pasqyrë e (Konicës), të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prapë se prapë nuk do të kishte të drejtë askush që ta hjekim Konicën nga lëvizja jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur nga këto, ne s’bëjmë gjë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë edhe jo aq të pasur dhe si pasojë varfërojmë edhe vetveten”!
Gjithashtu edhe dijetari i njohur Namik Resuli, duke mbrojtur Konicën shpjegon, se; “Austria i ka mbrojtur gjithmonë shqiptarët, ndryshe sllavët dhe grekët do ta merrnin zvarrë Shqipërinë”! Në një prej librave të publicistit nga Kosova, Bejtullah Destanit, botohet një shkrim i vitit 1912, i poetit të shquar francez, Guillaume Apollinaire, i njohur me Konicën më 1903, në Londër. Ndër të tjera ai shkruan: “Një nga njerëzit që kam takuar e kujtoj me nderim të veçantë, Faik Bej Konica, është një nga më të pazakontët”!
Apollinaire, na bën të ditur se gjatë studimeve në Francë, Konicën e mundonte malli për atdheun e vet, Shqipërinë. I kthyer në Turqi, ai kishte marrë pjesë në një lëvizje të fshehtë kundër Sulltanit. U dënua në mungesë, dy herë me vdekje. Më tej poeti francez tregon një ndodhi rreth Konicës e revistës ‘Albania’ në Bruksel: “Një ditë ai tërhoqi vëmendjen e një polici. Ai e pyeti:- ‘Nga ç‘vend jeni’? –‘Jam nga Albania’ –‘Ku banoni’? – ‘Në rrugën ‘Albania’. –‘Me ç’punë merreni’? –‘Punoj në Albania’ – ‘Mos doni të talleni me mua’? – u përgjigj polici, e kështu patrioti shqiptar e kaloi natën në një nga stacionet e policisë”!
Faik Konica më 14 prill 1912, merr pjesë në themelimin e Federatës Pan-shqiptare “Vatra” në Boston dhe zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Më 1913, Fan Noli e Faik Konica, përfaqësuan
Federatën “Vatra” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po në atë vit Konica zgjidhet kryetar në Kongresin e shqiptarëve mbledhur në Trieste, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai kreu shërbime diplomatike për Shqipërinë, në Austri, Zvicër, Itali etj. Më 1921, i kthyer në Boston, zgjidhet kryetar i Federatës “Vatra”. Me anën e gazetave “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”, përkrahu zhvillimet demokratike në Shqipëri.
Në gazetën “Dielli” 22 janar 1922, Faik Konica shkruan: “Fan Noli do t’i bënte shërbimin më të madh Shqipërisë, sikur të ish i zoti të klliste pakë frymë rregulle, drejtësie dhe bindjeje në mes t’asaj turme të dehur, e cila vë në rrezik një popull të pafajshëm, të shënuar nga dora e fatit për një vdekje t’afërme dhe të turpshme”! Ndërsa Noli i ngritur në mbrojtje të Konicës në Parlamentin e vitit 1923, u shpreh: “Faiku është krylëronjësi i gjuhës sonë, është zbulonjësi i flamurit tonë të harruar, është kryekalëronjësi i lirisë dhe independencës kombëtare, dhe ne të gjithë s’jemi veç dishepujt e tij. Historia e paanshme s’munt ta mohojë këtë gjë, as s’munt të mohojë që i ka falur çështjes tërë rininë e tërë mendjen këtu e njëzetë e shtatë vjet me radhë pa reshtur”!
Faik Konica gjatë qeverive të viteve ‘20-40-të, vijoi t’i shërbente Shqipërisë, me detyrën e konsullit, pastaj të ministrit fuqiplotë në Uashington deri në fund të jetës, më 15 dhjetor 1942. Letrat në fillim të Luftës së Dytë Botërore me Mbretin Zog, ministrat apo sekretarët e tij në Londër, me Fan Nolin në Boston dhe Departamentin e Shtetit në Uashington, dëshmojnë për shqetësimin e tij të madh për fatin e atdheut të pushtuar.
VEPRIMTARIA KULTURORE E LETRARE
Profesorët e akademikë të moshuar, pa kulturë, të varfër me dokumente, meqë nuk janë marr me Konicën, shkruajnë me hamendje, se ai krijoi pak ose disa shkrime i la të papërfunduar. Përkundrazi, gjithë ajo veprimtari e gjerë në Shqipëri, Europë e Amerikë, ligjëratat, shkrimet pa mbarim në gazeta e revista, qindra letra e dokumente që zbulohen në arkivat e bibliotekat e qyteteve, ku ai jetoi e punoi, si Parisi, Brukseli, Bostoni e Uashingtoni, dëshmojnë krejt ndryshe. Kështu në vend të profesorëve, në shtypin shqiptar shkrimtarë e hulumtues të rinj, herë pas here njoftojnë lexuesin e gjerë, për gjetje shkrimesh, letrash e librash të Konicës.
Faik Konica përmendet në historinë e vërtetë të kulturës sonë kombëtare, si krijues i prozës moderne, shkrimtar i talentuar e poet me ndjesi të veçanta, eseist i rrallë, themelues i kritikës letrare shqiptare, publicist, përkthyes, mjeshtër i gjuhës shqipe dhe studiues i gjuhëve të tjera. Në rrethet intelektuale të Parisit, ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar, i papërmbajtshëm në polemikë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, i gatshëm t’u përgjigjej në çdo gjuhë, atyre që fyenin atdheun, ashtu siç dinte ai vetë.
Faiku i ‘Albania’ -s historike
Ai fliste e shkruante lirshëm shqip, greqisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe turqisht. Namik Resuli, shkruan: “Proza e Faikut është shumë e këndshme, shumë e limuar e njëkohësisht shumë e thjeshtë e fort e rrjedhshme. Ajo zbret në zëmër të lëçitësit mu si nektari i perëndivet, që deh dhe ngreh shpirtin në një botë tjetër, në një botë bukurishë të pasosura. Artikujt e ‘Albanias’ e të ‘Diellit’, shtyllat e Dr. Gjëlpërës e’ përkthimet si ato të përrallave arabe, përbëjnë në vetvete më se një vepër të plotë e të kryer. Ato do të mbesin për Shqiptarët si ca nga faqet më të bukura e më të hijshme të prozës, si një model i gjallë i shqipes, jo vetëm nga pikëpamja estetike po edhe nga pikëpamja e punimit të gjuhës”.
Veprimtaria kulturore letrare e Konicës në shërbim të atdheut, përshkoi shtigje të shumta në Europë e Amerikë. Më 1895 në Paris, nxjerr në dritë librin ‘Shqipëria dhe turqit’. Në Bruksel e më pas në Londër, boton revistën ‘Albania’ dhe ‘Albania e Vogël’. Më 1909, i ftuar nga atdhetarët shqiptarë të Amerikës vendoset në SHBA. Në Boston drejton gazetën ‘Dielli’, krahas saj të përkohshmet ‘Trumbeta e Krujës’, ‘Ushtimi i Krujës’. ‘Bota e Re’ etj. Këto gazeta e revista politiko-kulturore dhe letrare të Rilindjes sonë, bënin të ditur këdo me historinë e pasur e kulturën e popullit shqiptar dhe programin e lëvizjes kombëtare.
Disa nga këto krijime janë: ‘Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit’, ‘Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore’, ‘Një ambasadë e Zulluve në Paris’, ‘Katër përralla nga Zullulandi’, ‘Shqipëria si m’u duk’, përkthimi ‘Nën Hijen e Hurmave’, Ndryshe nga tërë krijimet e realizmit socialist, Konica me rrëfimet mjeshtërore, pa fyer asnjë me emër, pajis me dijeni të gjithanshme çdo lexues, mëson si duhet folur e shkruar shqip. Shkruan me nderim për traditat e mira kombëtare, edukatën e moralin, thjeshtësinë në veshje e sjellje, për historinë e vërtetë, politikën, filozofinë dhe kryerjen e detyrave në përputhje me ligjet në fuqi.
Pa zbukuruar asgjë, ai kritikon të metat e shoqërisë pa tepri me qellim të qartë prej atdhetari, përparimin mëtejshëm në vendin tonë. Me këshillat, “ruaju nga vetja e, nga të tjerët”, në një farë mënyre u drejtohet bashkatdhetarëve, si prind e vëlla. Shumë nga e krijimet e Konicës, kanë ngjyresat e një proze poetike. Të tilla janë ‘Malli i Atdheut’, ‘Ca kujtime mi At Gjeçovin’, ‘Anës Liqenit’, ‘Në liqen’, ‘Bora’, ‘Jeta e Skënderbeut’, ‘Abdul Frashëri’, ‘Naim Frashëri’, Nga leximi i tyre zbulohet poeti i ndijshëm i dashurisë për atdheun dhe heronjtë e kombit, për njeriun e natyrën.
Krahas veprimtarisë atdhetare e diplomatike, shkrimet e botuar deri më sot, gjuha e bukur shqipe me prirje drejt njësimit, mënyra fisnike e të folurit, janë shembëll për të gjithë, edhe sot, qoftë për poetët, shkrimtarët e kritikët e letërsisë, qoftë për politikanët e gazetarët shqiptarë. Faik Konica me kritikën e përkryer, vlerësonte sipas meritave të gjithë pa përjashtim, poetët e shkrimtarët, Naimin, Fishtën, At Gjeçovin, Nolin, Asdrenin, Çajupin, madje për çështje politike edhe Ismail Qemalin, Ahmet Zogun etj. Ndërkohë ai mbeti deri në fund miku i tyre besnik. Veçojmë edhe raste, kur Konica në kritikat e veta përfshinte edhe ndonjë poezi të Naimit, për të cilin zhurmojnë më kot edhe sot analistët soc-realistë dhe heshtin për vlerësimin në tërësi prej tij, të veprës së Naimit!
Ata harrojnë, se Konica si kritik kërkues i palodhur, i mësuar me poezinë e poetëve të mëdhenj modernë në Paris e Londër, duke çmuar dhuntinë e poetit tonë kombëtar, aftësitë shprehëse e hijeshinë e gjuhës shqipe, dëshironte një Naim të niveleve bashkëkohore europiane. Kundër tërë kësaj zhurme, Konica në shkrimin ‘Naim Frashëri’, rendit një varg cilësish të poetit tonë kombëtar, si: “zëmër–gëzuar, mendjehollë, fjalë kripur, ndjesë hollë, yll i ndritshëm e i rrallë në qiell të Shqipërisë”!
At Gjergji Fishta, adhurues i Naimit e quante Konicën “arbitër i shkrimeve ma elegante të shqipes”, ndërsa Fan S. Noli “euridit të shkëlqyer dhe patriot i madh”. Për poetin Apollinaire, është një “enciklopedi ambulante”. Konica shkrimet e veta i nënshkruante edhe me pseudonime: Faik be Konitza, Faik bej Konitza, Faik Bey Konitza, Fk.B.K., FBK, Fk Konitza, Fk K-ntza, Fk K, etj.
KONICA AMBASADOR NË UASHINGTON
Pas marrëveshjes e miratimit nga Mbreti Zog si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, Konica u nis nga Bostoni dhe arriti në kryeqytetin e SHBA, më 11 korrik 1926. Pas punës çlodhej, duke dëgjuar muzikë klasike. Sidomos të Vagnerit e Moxartit. Adhuronte dirigjentin me famë botërore, Arturo Toscanin. Në një pritje në ambasadën italiane në Uashington, Konica kishte kuvenduar me të për afro një orë dhe kishte mbetur i mahnitur nga thellësia dhe fisnikëria e muzikantit të madh.
Në gazetën, ‘The Washington Post’ (1 prill 1934, shkruhej: “Askush nga njerëzit e trupit diplomatik në Uashington, nuk është më i njohur dhe më i pëlqyer se Faik Konica, Ministër i Shqipërisë”! Gjatë gjithë kohës që ishte ministër në Uashington, Konica nuk kishte lënë verë pa shkuar për pushime në Suamskot, vend me famë botërore për kapjen e aragostave, që tërhiqte amerikanët e kamur dhe pushues të shumtë nga bota. Në një nga ndërtesat, përballë oqeanit Konica kishte zënë miqësi me pronarin, i cili e ftonte të qëndronte falas dy javë më tepër. Hapësira e oqeanit dhe largësia nga zhurmat e Uashingtonit, e ndihmonin të qetësonte mendjen dhe hipertensionin e tij. Suamskoti kishin një të mirë të madhe, sepse komunitetet e shqiptarëve ishin afër. Mund të merrte autobusin e trenat për në Boston.
KONICA DHE NOLI
Në vitin 1937, Faik Konica nuk ishte parë me Fan Nolin prej një kohe të gjatë. Në të vërtetë, një kronologji e lëvizjeve të tyre tregon, se Konica me Nolin nuk kanë patur shumë raste të takoheshin në jetë. Historia e marrëdhënieve të drejtpërdrejta mes tyre, fillonte më 1909, kur Konica arriti për herë të parë në Boston nga Europa. Pak vite më vonë, më 1912, “Vatra” e dërgoi atë dhe Nolin në Evropë. Por për shkak të punëve, miqtë nuk mundën të qëndronin bashkë. Noli u kthye në Boston më 1915 dhe pas katër vjetësh, u nis përsëri për në Europë. Konica u kthye nga Europa në Boston, më 1921, ndërkohë që Noli nuk ndodhej më aty. Ata ishin shkëmbyer dhe gjatë asaj kohe kishin komunikuar me letra.
Deri në fund të vitit 1924, mes të dyve kishte vetëm fjalë adhurimi të ndërsjellë. Në parlamentin e Tiranës, Noli pat qenë mbrojtësi i madh i Faikut, i cili kishte boll armiq. Në Boston, Konica ia shpërblente me shkrimet në ‘Dielli’, ku Noli paraqitej me ngjyrat e një heroi, i cili përfaqësonte ‘Vatrën’ atje, ku bëhej beteja më e vështirë për fatet e shtetit të ri, në Shqipëri. Më vonë, kthimi i Zogut në pushtet, u bë shkak që marrëdhëniet të prisheshin. Mes Konicës dhe Nolit nisën shkëmbimet e ashpra, që vazhduan gati një dhjetëvjeçar. Ndonëse polemika u fashit në vitin 1934, sedra nuk i lejoi miqtë e vjetër të takoheshin.
Më 28 nëntor 1937, komuniteti shqiptar i Bostonit e festoi Ditën e Flamurit, me një ngjarje të shënuar. Në meshën që Noli dha atë të dielë në Kishën e Shën Gjergjit, kishte ardhur edhe Konica. Pas meshës, Peshkopi kryesoi në sallën e kishës “festimin e lirisë”, siç quhej nga shqiptarët, dhe të dy patën një bisedë të ngrohtë. Njerëzit përreth ishin të ngazëllyer. Brezi i vjetër i ‘vatranëve’ shikonte historinë t’u shpalosej përpara syve, ndërsa më të rinjtë, ata që nuk e kishin jetuar kohën, kur Konica dhe Noli luftonin për shtetin e ri, e kishin të vështirë ta kuptonin simbolikën e këtij takimi. Të dy ishin pjekur nga lufta dhe kishin mësuar ta hidhnin vështrimin më larg se politika. Nga intervista që Konica, i dha pas disa javësh kryeredaktorit të ‘Diellit’, Nelo Drizari, mund të kuptohej, se mes dy burrave kishte nisur një miqësi e re plot ndjenja respekti.
Shumëkush befasohet nga dukuri të pabesueshme, kur edhe në vitet ‘40-‘44, në Shqipëri nxënësit vijonin të njiheshin me jetën e veprën e Faik Konicës, përmes librave ‘Te Praku i Jetës’, ‘Rreze Drite’, ‘Shkrimtarë Shqiptarë’, ‘Bota Shqiptare’. Gjithashtu, siç ndodhte shpesh, ndërsa më 1955 në Prishtinë botoheshin veprat e plota të Konicës, në Shqipëri gjatë tërë viteve të diktaturës, ndalohej çdo shkrim i tij. Në ato kushte, kur shkrimet e Konicës nuk njiheshin as nga nxënësit, as nga studentët, vihej re, se profesorët me bindje të majta, tejkalonin çdo cak. Në përpjekjet e tyre për të zhvleftësuar gjithçka, përdornin terma të huaja për mendimin estetik, larg të vërtetave, madje përbuzëse, si këto: “reaksionare”, “borgjezo-klerikale”, “mistiko-fetare”, “formaliste”, ”paskrupull”, “brutale”, ”agresive”, etj.
Por në kohën, kur sistemi komunist u shemb, profesorët pasi shtrembëruan me ngulm jetën e veprën e Nolit, u sulen të botonin për interesa vetjake veprat e Konicës, meqë sipas tyre tani nuk qenkëshin më të tilla, as “reaksionare”, as “formaliste”, por “madhore”! Dhe shi për shkak të paaftësisë e ngutjes, një prej tyre (prof. N.) qarkulloi me bujë një dokument pa vlerë, “Testamentin” e shkruar, kinse nga Konica, me lutjen për prehjen e trupit të vet në atdhe. Nik Kreshpani në gazetën “Dielli”, 20 tetor 1965, hedh dritë mbi këtë çështje të shtruar nga Noli në një takim me disa të dërguar nga Tirana rreth vitit 1945.
“Ata u përgjigjën: ‘Shumë mirë; munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, po më parë duhet ta sjellim përpara gjyqit të popullit’. Noli i ndezur u tha: ’Po dëgjojmë dita ditës, se jeni dyke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë, po kurrë nuk na kishte shkuar mendja, se jeni aqë trima, sa të hidhni në gjyq edhe të vdekurit”! Pra, edhe “letrat” për këtë çështje, të dërguara gjoja “me konsiderata” diktatorit, madje të botuara për habi më 1996, nga këta soj profesorësh, janë të pabesueshme e pa kurë-farë vlere. Memorie.al