Shqipëria do të ketë në dispozicion 922 milionë euro nga Bashkimi Evropian në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane.
Me 74 vota pro, asnjë kundër apo abstenim Kuvendi miratoi marrëveshjen e huasë me BE-në, në kuadër të zgjerimit për Ballkanin Perëndimorë që parashikon 657 mln euro kredi ne kushte të favorshme dhe 264 euro grante. Fonde që do të merren gradualisht sipas projekteve që do financohen dhe kushteve që do të plotësohen.
Fondet e BE do të përdoren për 5 objektiva kryesore: rritjen e konkurrueshmërisë, kualifikimin e kapitalit njerëzor, konsolidimin e qëndrueshmërisë energjitike, transformimin digjital si dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Mbështetja me hua do të vijojë deri në vitin 2027, dhe shlyerja e këtyre kredive nga Shqipëria do të nisë në vitin 2034, dhe koha për t’i shlyer të gjitha fondet e marra si kredi nga BE do të jetë 40 vite.
Fondet që vendi do të marrë nga BE, do të menaxhohen dhe mbikëqyren nga Banka Evropiane e Investimeve, e cila do të hapë një zyrë edhe në Shqipëri. Hapja e përfaqësisë së BEI në Tiranë u miratua me 72 vota pro.
Për të garantuar transparencë në përdorimin e fondeve të BE-së, me 73 vota pro, dhe vetëm një kundër atë të Bujar Leskaj u miratuan disa ndryhsime në mënyrën se si funksionon Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, duke shtuar kompetencat e drejtorit të përgjithshëm.
Mes akuzave nga ato pak deputetë të opozitës që ishin në seancë plenare u miratua edhe Paketa e Maleve, me votën kundër të Bujar Leskajt, abstenim të socialistit Niko Kuri dhe me 73 vota pro.
Për opozitën paketa është e dedikuar për disa klientë të qeverisë dhe që do të dëmtojë zonat malore. Përgjigjen e morën nga ministrat Gonxhja, Balla e Denaj që e konsideruan si ftesë drejtuar emigrantëve për tu kthyer në vend.
Dritë jeshile pati edhe për huanë në vlerë 118.5 milionë dollarë që do të merret nga Emiratet Arabe për sistemin e Kamera Smart City”. Ky projekt parashikon pajisjen e 20 qyteteve me kamera dixhitale, si dhe blerjen e 8,657 kamerave inteligjente, përfshirë edhe mbi 3800 kamera trupi për efektivët e policisë. Kjo hua u miratua me 74 vota pro dhe një kundër.
Ligjvënësit me nga 73 vota pro zgjatën afatet deri në fund të kësaj legjislature parlamentare për dy komisionet e posaçme parlamentare atë të dezinformimit të drejtuar nga Erion Braçe dhe ai ‘anti-korrupsion’ të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Me votat e mazhorancës u miratuan edhe dy projektligje të tjera një për për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor (74 vota pro), dhe tjetri për marrëveshjen me Dukatin e Madh të Luksemburgut për shkëmbim informacioni të klasifikuar me 73 vota pro.
Projektligjet e votuara në Parlament:
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor””
74 vota pro
0 kundër
0 abstenim
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”
73 vota pro
0 kundër
0 abstenim
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri”.
72 vota pro, (mes tyre Leskaj e Avdylla)
0 kundër
0 abstenim
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”.
74 vota pro
1 kundër, Bujar Leskaj
0 abstenim
-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së facilitetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni, për rregullimet specifike për zbatimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të facilitetit për reforma dhe rritje”
73 vota pro
0 kundër
0 abstenim
-Projektligji “Për Paketën e Maleve”
73 vota pro
1 kundër
1 abstenim
-Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.
74 vota pro
0 kundër
0 abstenim
-Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë””.
73 vota pro
0 kundër
1 abstenim (Leskaj)
-Zgjatja e afatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqipërinë 2030 (Komisioni i Fatmir Xhafajt)
73 vota pro
0 kundër
0 abstenim
-Zgjatja e afatit të Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin (Komisioni Braçe)
73 vota pro
0 kundër
0 abstenim


